Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës trajtim të barabartë edhe për sektorin privat, pas vendimit për ndarjen e pagës së 13-të për të gjithë të punësuarit në sektorin publik.
Jusuf Azemi nga kjo Federatë sindikale thekon se i gëzohen faktit për ndarjen e pagës së 13-të për sektorin publik, por sipas tij, është e papranueshme dhe jo korrekte që edhe kësaj radhe të mos mendohet për të punësuarit në sektorin privat.
“Qeverisë së Republikës së Kosovës dëshirojmë t’ia bëjmë të qartë se është pikërisht sektori privat ai i cili, me punën e tij, por edhe përmes taksave dhe tatimeve që paguan, kontribuon në rritjen e buxhetit të Republikës së Kosovës. Me këto të hyra buxhetore, Qeveria e Republikës së Kosovës financon pagën e 13-të për të punësuarit në sektorin publik, ndërsa punëtorët e sektorit privat, të cilët kontribuojnë në mbushjen e arkës së shtetit, mbeten jashtë këtij përfitimi”, thuhet në njoftim.
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës kërkon urgjentisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në pagën e 13-të të përfshihen edhe të punësuarit në sektorin privat.
“Është përgjegjësi e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të gjejë formën dhe modalitetet e nevojshme për ta bërë të mundur që edhe të punësuarit në sektorin privat të përfitojnë nga paga e 13-të.
Në të kundërtën, ne, si Federatë Sindikale, do të përdorim të gjithë mekanizmat sindikalë që na garantohen me ligj, në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të të punësuarve në sektorin privat”, thuhet më tej.
Ai më tej thekson se sektori privat është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit dhe sektori më i madh që kontribuon në mbushjen e arkës së shtetit.
“Për këtë arsye, punëtorët e këtij sektori nuk mund të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe të mbeten vazhdimisht jashtë përfitimeve që financohen edhe nga kontributi i tyre. Qeveria duhet të jetë Qeveri e të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm e të punësuarve në sektorin publik”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Telegrafi/