KORREKT / SOT29 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Osmani: Kërkojmë mbështetjen e Francës për integrimin evropian të vendit dhe ruajtjen e Marrëveshjes së Ohrit

Osmani: Kërkojmë mbështetjen e Francës për integrimin evropian të vendit dhe ruajtjen e Marrëveshjes së Ohrit

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, po qëndron për vizitë pune në Paris, në kuadër të së cilës po zhvillon takime në Senatin francez, Asamblenë Kombëtare dhe institucione të tjera franceze, me fokus në perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, thuhet në njoftimin e BDI-së.

Në qendër të bisedimeve, thonë nga BDI, janë procesi i integrimit evropian, ngecja e Maqedonisë së Veriut në këtë proces, si dhe rëndësia e ruajtjes së stabilitetit ndëretnik përmes respektimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Siç thuhet në njoftim gjatë bisedimeve u shqyrtuan edhe mundësitë e integrimit gradual në politikat dhe mekanizmat e Bashkimit Evropian, me qëllim që qytetarët të kenë përfitime konkrete nga procesi integrues edhe përpara anëtarësimit të plotë.

Osmani kërkoi një angazhim më të fuqishëm të Francës për të siguruar një interpretim të qartë, të njëtrajtshëm dhe të paekuivok të procesit të integrimit evropian të vendit, si dhe mbështetje në kuadër të marrëdhënieve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

“Nuk duhet të lejojmë që Maqedonia e Veriut të mbetet jashtë proceseve kryesore evropiane në rajon. Është bërë shumë, do të thosha është investuar shumë, veçanërisht edhe nga Republika Franceze në këtë proces, për çka jemi jashtëzakonisht mirënjohës. Por, është e qartë se kemi nevojë për mbështetje shtesë, në mënyrë që procesi i integrimit të vazhdojë”, theksoi Osmani.

Vëmendje e veçantë iu kushtua Marrëveshjes së Ohrit, si themel i stabilitetit, barazisë dhe karakterit multietnik të shtetit. Osmani shprehu shqetësimet lidhur me zhvillimet që prekin të drejtat gjuhësore, përfaqësimin e drejtë dhe respektimin e parimeve themelore të kësaj marrëveshjeje.

Ai theksoi se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe përparimi drejt Bashkimit Evropian mbeten ngushtë të ndërlidhura me stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.