Kryeqyteti norvegjez, Oslo, ka ndaluar përdorimin e syzeve inteligjente në shkolla, duke argumentuar se masa synon të mbrojë fëmijët nga rreziqet e privatësisë dhe mbledhjes së të dhënave.
Komuna e Oslos njoftoi të enjten se përdorimi i syzeve inteligjente është ndaluar gjatë gjithë ditës shkollore dhe në të gjitha nivelet e arsimit.
Nënkryetarja e Oslos për Arsimin, Julie Remen Midtgarden, tha se politikanët duhet të jenë të drejtpërdrejtë për arsyet e vendimit.
“Duhet të kemi guximin të jemi të sinqertë se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë: një nga kompanitë më të pasura në botë ka lançuar një produkt, ideja e të cilit është ta bëjë të pamundur të kuptosh kur po filmohet”, deklaroi ajo.
Politikania konservatore shtoi se Oslo “refuzon të lejojë që fëmijët të bëhen pjesë e mbledhjes së të dhënave nga Meta”, transmeton Telegrafi.
Midtgarden kritikoi gjithashtu qeverinë norvegjeze të majtë, e cila ka bërë të ditur se ka krijuar një grup ekspertësh për të shqyrtuar mundësinë e rregullimit të këtyre pajisjeve, si dhe përdorimit të teknologjisë së njohjes së fytyrës në hapësirat publike.
“Syzet shiten sot në Norvegji, përdoren sot në oborret e shkollave norvegjeze dhe problemi është këtu tani. Të shqyrtosh çështjen nuk do të thotë të ndërmarrësh veprime”, tha ajo.
Syzet inteligjente mundësojnë fotografimin dhe regjistrimin e videove, dëgjimin e muzikës, kryerjen e telefonatave, përkthimin e tabelave dhe shenjave në gjuhë të huaja, si dhe shfaqjen e teksteve ose hartave në fushën e shikimit të përdoruesit.
Ato mund të ndërveprojnë gjithashtu me një asistent të integruar të inteligjencës artificiale.
Ndërkohë, është raportuar se Meta ka zhvilluar një funksion të njohjes së fytyrës, i cili është gati të integrohet në syzet e saj inteligjente. Kjo ka shtuar shqetësimet rreth privatësisë dhe mënyrës se si mund të përdoren të dhënat e mbledhura.
Ndalimi në shkollat e Oslos hyri në fuqi më 27 gusht, por njoftimi publik u shty deri të enjten për shkak të një armëpushimi politik të dakorduar nga partitë norvegjeze pas vdekjes së Mbretit Harald V më 28 gusht.