Barcelona ka nisur kërkimet për një qendërmbrojtës të ri në afatin kalimtar të janarit, i cili mund të përshtatet menjëherë me stilin e lojës së trajnerit Hansi Flick, raporton eksperti i transferimeve Matteo Moretto.
Problemet me lëndimet dhe mungesa e alternativave të mjaftueshme në mbrojtje kanë nxjerrë në pah dobësitë e katalunasve, veçanërisht pas dy humbjeve të fundit ndaj Paris Saint-Germainit dhe Real Madridit.
Për këtë arsye, drejtuesit e Barcelonës synojnë ta përforcojnë repartin defensiv gjatë afatit kalimtar të janarit. Një nga emrat që po shqyrtohet është qendërmbrojtësi brazilian i Real Betisit, Natan.
Mbrojtësi ka treguar vazhdimësi në paraqitjet e tij me klubin nga Sevilja dhe ishte në radarët e Barcelonës edhe gjatë verës së kaluar.
Një tjetër faktor që mund ta lehtësojë transferimin e tij është synimi i Natanit për të marrë pasaportën spanjolle.
Nëse e siguron atë, Barcelona do të mund ta regjistrojë pa shfrytëzuar një vend të rezervuar për futbollistët jashtë Bashkimit Evropian.
Megjithatë, Natan nuk është emri i vetëm në listën e katalunasve. Sipas Morettos, edhe Alessandro Bastoni i Interit mbetet një objektiv i mundshëm, pasi Barcelona kishte tentuar ta transferonte gjatë afatit kalimtar të verës.
“Bastoni dhe Interi janë të kënaqur me njëri-tjetrin, por, duke parë drejt verës së ardhshme, nëse vjen një ofertë shumë e lartë, Interi mund ta shqyrtojë atë dhe ta lejojë largimin e tij”, deklaroi Moretto./Telegrafi/

