Pesë ndeshje në program dhe vëmendja e përqendruar te përballja mes Prishtinës dhe Dritës. Xhiroja e 11-të e Albi Mall Superligës sjell sfida të rëndësishme në garën për pikë, me derbin e së dielës që pritet të jetë në qendër të vëmendjes.
Java e 11-të e Albi Mall Superligës së Kosovës zhvillohet nga e premtja deri të dielën, me pesë përballje në program.
Ndeshja që spikat mbi të tjerat është ajo mes Prishtinës dhe Dritës, dy skuadrave me ambicie të mëdha në futbollin kosovar. Përballja zhvillohet të dielën, nga ora 13:00, në fushën natyrale të kampit të FFK-së në Hajvali, ku të dyja ekipet do të kërkojnë pikë të rëndësishme për vazhdimin e kampionatit.
Të premten, Gjilani e hap xhiron përballë Llapit, në një ndeshje që zhvillohet nga ora 18:00 në stadiumin me bar artificial në Gjilan.
Tri përballje të tjera janë në program të shtunën dhe të dielën. Vushtrria pret Ballkanin të shtunën nga ora 14:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndërsa Drenica dhe Malisheva takohen po atë ditë, nga ora 18:00, në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Të dielën, para derbit Prishtina-Drita, Feronikeli ’74 përballet me Dukagjinin nga ora 13:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. /Telegrafi/

