Para samitit të NATO-s që do të mbahet më 7–8 korrik në Ankara, pas ndalimit të mëparshëm të tubimeve dhe protestave nga autoritetet lokale, në orët e mëngjesit u zhvillua një operacion i gjerë në shumë adresa njëkohësisht.
Prokuroria e Përgjithshme e Ankarasë njoftoi se janë lëshuar urdhra ndalimi për 241 persona të dyshuar për lidhje me organizata të ndryshme, ndërsa 209 prej tyre janë arrestuar.
Sipas njoftimit, operacionet janë kryer nga Policia e Ankarasë dhe Komanda e Xhandarmërisë në kuadër të një hetimi për “zbardhjen e aktiviteteve të organizatave terroriste në nivel kombëtar”. Të arrestuarit dyshohet se kanë lidhje me organizata si ISIS (DAESH), DSİH, TKP/ML, TKİP, MLKP, DKP/BÖG, DHKP/C dhe THKP/C.
Ndër të arrestuarit ndodhet edhe Yıldız Tar, kryeredaktor i medias KAOS GL. Organizata KAOS GL njoftoi se Tar pritej të dilte para gjykatës në një çështje tjetër që lidhet me hetimin ndaj Kongresit Demokratik të Popujve (HDK).
Partia Revolucionare (Devrimci Parti) njoftoi gjithashtu se mes të ndaluarve janë edhe kryetari i saj Elif Torun Öneren, si dhe shumë anëtarë të partisë.
– YouTube www.youtube.com
Sipas raportimeve, ndaj të ndaluarve është vendosur kufizim 24-orësh për takime me avokatët.
Partia DEM ka reaguar duke dënuar operacionin, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të të ndaluarve. Ajo e ka quajtur aksionin “arrestim arbitrar” ndaj politikanëve, aktivistëve dhe qytetarëve, duke kritikuar edhe ndalimin e tubimeve në Ankara.
DEM Partia theksoi se të drejtat si liria e shprehjes dhe e organizimit janë të garantuara në demokraci dhe se “shndërrimi i Ankarasë në një lloj burgu për shkak të samitit të NATO-s është i papranueshëm”.
Autoritetet e Ankarasë kishin njoftuar një ditë më parë se në kuadër të samitit të NATO-s do të ndalohej çdo formë proteste dhe aktiviteti publik për 13 ditë, përfshirë mitingje, deklarata për shtyp, vendosje stendash dhe aktivitete të tjera.
Sipas vendimit, ndalimi është marrë për arsye sigurie dhe për të garantuar rendin publik, ndërsa janë vendosur edhe kufizime të rrepta në disa zona të qytetit dhe në hapësirën ajrore për dronë.
Gjithashtu, në periudhën 6–12 korrik janë ndaluar edhe aktivitetet si koncerte, festa, seminare, ceremoni diplomimi dhe ngjarje të ngjashme në të gjithë Ankaranë. /Telegrafi/
