Bjellorusia, aleatja më e ngushtë e Rusisë, ka vënë në dyshim logjikën pas pretendimit të Moskës mbi territorin ukrainas, duke e krahasuar atë me një skenar ku Mongolia do të kërkonte të merrte nën kontroll tokat ruse.
Presidenti rus Vladimir Putin ka argumentuar se Ukraina duhet të jetë pjesë e Rusisë, me pretendimin se Kievi ishte në zemër të federatës mesjetare të njohur si “Rusi e Lashtë” (Ancient Rus).
Ekspertët kanë thënë prej kohësh se ky është – në rastin më të mirë – një ushtrim revizionizmi historik; megjithatë, tani edhe presidenti bjellorus Alexander Lukashenko – i cili zakonisht vepron në harmoni të plotë me Putinin – ka shprehur dyshime mbi këtë pretendim.
Në një intervistë për revistën franceze “Le Point”, të botuar të mërkurën, Lukashenko u shpreh: “Të thuash se tokat (e Ukrainës) kanë qenë ruse që nga kohërat e lashta… epo, nëse e shohim më thellë, tokat ruse dikur kanë qenë mongolo-tatare. A ju kujtohet? Pra, sipas kësaj logjike, kujt duhet t’i jepet e gjithë Rusia? Mongolisë?”.
Në këtë intervistë të gjerë – e cila, ndonëse në thelb mbështeste Rusinë, ishte e mbushur me të pavërteta dhe pasaktësi – Lukashenko i tha revistës se beson që Putini e kupton se kjo logjikë është e gabuar, duke e cilësuar atë si një “politikan të mprehtë dhe të zgjuar”.
Duke folur për revistën franceze, Lukashenko theksoi miqësinë e tij me Putinin dhe përsëriti narrativat e rreme të liderit rus, sipas të cilave Ukraina e nisi luftën duke “vrarë dhe djegur njerëz rusë”.
Bindjet e Lukashenkos dhe marrëdhënia e tij e ngushtë me Putinin datojnë që herët.
Ai ishte i vetmi anëtar i parlamentit bjellorus që votoi kundër shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
Për më tepër, gjatë 32 viteve të tij në pushtet si president, ai e ka shndërruar efektivisht Bjellorusinë në një shtet vasal të Rusisë.
Nën drejtimin e tij, Bjellorusia ka luajtur një rol kyç në luftën në Ukrainë.
Në shkurt të vitit 2022, Lukashenko lejoi Rusinë ta përdorte Bjellorusinë si bazë për nisjen e pushtimit në shkallë të gjerë – ndonëse tani ai mohon të ketë qenë në dijeni për këtë.
Më vonë, ai ra dakord që në territorin bjellorus të vendoseshin armë bërthamore taktike ruse.
Lukashenko gjithashtu sugjeroi se do të ishte i hapur për ta çuar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për t’u takuar me Putinin.
“Ne mund të hipim së bashku në një aeroplan dhe të fluturojmë për në Moskë. Të dy ne. Si garantues i sigurisë së tij, unë mund të ulem me të dhe të fluturojmë për në Moskë”, tha ai.
Lukashenko gjithashtu shprehu besimin se Rusia përfundimisht do të marrë nën kontroll të gjithë rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore, por u shpreh kundër disa prej kërkesave maksimale të Putinit – siç është kthimi i kufijve të NATO-s aty ku ishin në vitin 1997.
“Jam absolutisht i bindur se ky është fillimi i negociatave. Në çdo proces negociatash, të dyja palët nisen nga disa kushte maksimale. Por, gjatë procesit të negociatave, duhet të ulesh në tavolinë dhe të negociosh”, ka thënë ndër tjerash Lukashenko. /Telegrafi/

