Oda e Mjekëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit ndaj mjekut Dr. Rabit Dërmaku, i cili u sulmua nga një pacient më 19 tetor 2026, në hapësirat e vendit të punës, në Spitalin e Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri.
Në reagimin publik të datës 20 tetor, Oda e Mjekëve e ka dënuar sulmin, duke theksuar se dhuna ndaj personelit shëndetësor nuk duhet të tolerohet dhe se raste të tilla po përsëriten.
“Sulmet fizike e verbale ndaj personelit shëndetësor nuk kanë të ndalur në asnjë rrethanë e kohë, të cilët në vendin e punës pa asnjë mbrojtje dhe asnjë kujdes të veçantë, janë duke iu ekspozuar veprimeve vandale dhe të dhunshme të shërbimmarrësve”, thuhet në reagimin e Odës.
Oda ka kërkuar nga organet e drejtësisë që rastet e sulmeve ndaj mjekëve të trajtohen me prioritet, duke bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e përsëritjes së tyre.
“Prokuroria e Shtetit dhe Gjykatat duhet të vihen në veprim, sidomos në fazën e procedurës paraprake, në mënyrë që kryerësve të këtyre veprave penale tu caktohet masa e paraburgimit, duke marrë parasysh probabilitetin që vepra e tillë mund të jetë e përsëritur ndaj mjekut i cili i është ekspozuar veprimit të tillë kriminal”, thuhet në reagim.
Oda ka theksuar se mjekët, si persona të autorizuar për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, duhet të gëzojnë mbrojtje juridike gjatë ushtrimit të detyrës, veçanërisht kur përballen me sulme në vendin e punës.
Po ashtu, ajo u ka bërë thirrje institucioneve shëndetësore dhe autoriteteve kompetente që të rrisin nivelin e sigurisë në institucionet shëndetësore, duke paralajmëruar për rrezikun e ekspozimit të mjekëve ndaj dhunës.
“Menaxherët e Institucioneve Shëndetësore duhet të dinë se nuk janë punëtorët shëndetësor ata të cilët duhet të merren me sigurimin e ambientit të sigurt, por ata vetë përmes mekanizmave që i kanë, përndryshe menaxherët do mbajnë përgjegjësi për incidentet e mundshme”, thuhet në reagim.
Në fund, Oda e Mjekëve të Kosovës ka bërë të ditur se do t’i përdorë të gjithë mekanizmat institucionalë për të bashkëpunuar me akterët e tjerë shtetërorë, me qëllim të parandalimit të dhunës ndaj mjekëve dhe krijimit të kushteve të sigurta të punës për të gjithë profesionistët shëndetësorë në Kosovë. /Telegrafi/

