Komuna e Obiliqit synon të krijojë 7 vende pune për personat me aftësi të kufizuara, në kuadër të një nisme për rritjen e mundësive të punësimit dhe përfshirjes së tyre në institucione.
Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, ka bërë të ditur se ka mbështetur nismën për krijimin e 7 pozitave të asistentit administrativ në administratën komunale, të dedikuara për këtë kategori të qytetarëve.
Sipas tij, iniciativa synon të krijojë mundësi të barabarta për angazhim profesional dhe zhvillim të aftësive të personave që përballen me pengesa në tregun e punës.
“Sot mbështeta nismën për krijimin e shtatë pozitave të asistentit administrativ në Komunën e Obiliqit, të dedikuara për persona me aftësi të kufizuara, me qëllim krijimin e mundësive të barabarta për angazhim dhe zhvillim të aftësive të tyre”, ka shkruar Thaçi.
Ai ka theksuar se përmes kësaj nisme synohet t’u jepet më shumë hapësirë aftësive dhe potencialit të qytetarëve që kanë vështirësi në sigurimin e një vendi pune.
“Përmes kësaj nisme, duam t’u japim më shumë hapësirë aftësive dhe potencialit të qytetarëve që përballen me pengesa në punësim”, ka shtuar ai.
Kryetari Thaçi ka paralajmëruar se Komuna e Obiliqit do të vazhdojë të ndërmarrë iniciativa për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët.
“Komuna e Obiliqit do të vazhdojë të krijojë mundësi konkrete, sepse zhvillimi i komunës duhet t’i përfshijë të gjithë”, ka përfunduar Thaçi.
Ende nuk janë bërë të ditura afatet dhe procedurat për plotësimin e këtyre pozitave.

