Një nxënëse nga Prizreni ka treguar shembull të ndershmërisë qytetare, pasi ka gjetur një kuletë me para dhe dokumente personale dhe e ka dorëzuar në polici.
Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur më 25 gusht 2026, rreth orës 20:45, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren.
Kuleta është gjetur nga nxënësja e Shkollës së Ekonomisë, O.T., e lindur në vitin 2011. Ajo, së bashku me prindin e saj, e ka dërguar menjëherë kuletën në Stacionin Policor të Trafikut në Prizren.
Në kuletë kishte të holla dhe dokumente personale të pronarit. Përmes dokumenteve identifikuese, policia ka arritur ta kontaktojë pronarin, i cili më pas është paraqitur në stacion dhe e ka marrë kuletën.
Pronari ka falënderuar nxënësen për gjestin e saj të ndershëm, si dhe Policinë e Kosovës për angazhimin në kthimin e kuletës.
Policia e ka vlerësuar rastin si shembull të përgjegjësisë qytetare dhe bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve, duke theksuar rëndësinë e ndershmërisë dhe solidaritetit në komunitet. /Telegrafi/
