Një nxënës gjashtëvjeçar nga Drenoci, i cili vijon mësimet në shkollën “Ali Kelmendi” në Barilevë të Prishtinës, ka pësuar lëndim të rëndë në dorë gjatë muajit të parë të klasës së parë.
Sipas babait të tij, Ylber Berisha, fëmijës i është dëmtuar rëndë gishti i mesëm dhe ai tregues, pasi një bankë është rrëzuar teksa po përpiqej të merrte lapsin.
Prindi thotë se djali nuk ka faj për incidentin dhe kërkon që të merren masa për të garantuar sigurinë e nxënësve në shkollë.
Ai ka bërë të ditur se shpenzimet mjekësore po i mbulon vetë, por insiston që dikush të mbajë përgjegjësi për rastin.
Për këtë çështje, Klan Kosova ka kërkuar përgjigje nga drejtoresha e shkollës, Bedrie Pireva, por ajo nuk është deklaruar, as para kamerës dhe as me shkrim.
Ndërkaq, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë nuk ka qenë e qasshme për televizionin gjatë ditës.

