Horizon School është nderuar nga rezultatet e larta të nxënësve të saj në International STEM Olympiad, një nga garat ndërkombëtare më prestigjioze në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.
Nxënësja e klasës së katërt Breta Breca dhe nxënësi i klasës së nëntë Olsi Amurllahu kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke fituar medalje të argjendta në këtë olimpiadë ndërkombëtare, përkatësisht në fushën e shkencave dhe matematikës.
Ky rezultat përfaqëson një arritje të rëndësishme jo vetëm për Horizon School, por edhe për arsimin në Kosovë, duke dëshmuar edhe një herë potencialin, talentin dhe përkushtimin e nxënësve kosovarë në fushat akademike dhe shkencore.
Suksesi i tyre është gjithashtu rezultat i përgatitjes së vazhdueshme dhe mbështetjes nga mësimdhënësit e shkollës. Një rol të rëndësishëm në përgatitjen e nxënësve kanë pasur mësuesja Iliridë Jasharaj, profesoresha e biologjisë Dafina Krasniqi dhe profesoresha e matematikës Kozeta Comani, të cilat kanë kontribuar me përkushtim në zhvillimin dhe orientimin e talenteve të reja.
Për të mbështetur edhe më tej zhvillimin akademik të nxënësve dhe pjesëmarrjen e tyre në gara ndërkombëtare, drejtori i Horizon School, Prof. Dr. Besim Beqaj, ka marrë vendim që shkolla të mbulojë tarifën e regjistrimit (fee-në) për pjesëmarrjen e nxënësve në gara ndërkombëtare me karakter akademik.
Ky vendim u bë i ditur gjatë një takimi me nxënësit fitues dhe mësimdhënësit e tyre, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së talenteve të reja dhe përfaqësimit të shkollës dhe vendit në skenën ndërkombëtare.
Për Horizon School, ky sukses është një dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm për të ofruar standardet më të larta të edukimit, përmes metodave bashkëkohore të mësimdhënies, infrastrukturës moderne dhe mbështetjes së plotë për zhvillimin akademik të nxënësve.
Arritjet e Bretës dhe Olsit shërbejnë si frymëzim për të gjithë nxënësit që të besojnë në potencialin e tyre dhe të synojnë gjithmonë më lart në rrugëtimin e tyre drejt dijes dhe ekselencës.



Horizon School, e ardhmja nis me ne.