Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se beson se zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit do të jenë të fundit në Kosovë për këtë vit.
Kurti në një intervistë për “Interaktiv” në KTV ka thënë se zgjedhjet s’kanë qenë të nevojshme.
“Nuk mund ta dimë me sigurt, por besoj se po. Nuk kishim nevojë për këto zgjedhje. Paradoksalisht ka konsensus që të gjithë pajtohen se s’kanë qenë të nevojshme”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se zgjedhjet kushtojnë mbi 10 milionë euro dhe rrezikohen dhjetëra miliona tjerë.
“Jemi ku jemi pasi tashmë kemi entitet të konsoliduar politik, që është blloku opozitar përkundër qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe po përdor aspekte të ndryshme kushtetuese, procedurale vetëm për të mos ecur para me shpejtësinë e duhur”, tha Kurti.
Zgjedhjet e 7 qershorit janë të tretat nacionale që nga shkurti i vitit të kaluar. Vendi shkoi te zgjedhjet e 7 qershorit, pasi deputetët dështuan ta zgjedhin presidentin.
Kurti ka thënë se takimet që ka pasur me liderë të opozitës ishin mbarë dhe kalonin në atmosferë konstruktive, por thotë se propozime për presidentin jepte vetëm ai.
“Partitë opozitare të këtij bllokuan ndryshuan sjellje e pamje, por jo qëndrime. Pasi nuk gjetëm figurë konsesuale provova të bashkëqeverisi, siç kisha propozuar në vitin 2025”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka ofruar pozitën e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri.
“I kanë 15 deputetë e ne 66. Ishte dyfishi që ka partia Guxo në qeverisje që ka garuar në listë me mua”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se nuk ka qenë problemi propozimet e ndryshme që bënte, por problem ishte dendësia e refuzimeve të propozimeve nga partitë opozitare.