KORREKT / SOT28 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Nuk lejohet hyrja e delegacionit në kampin e Gjadrit, autoritetet italiane pengojnë ekspertët që shoqëronin deputetët

Nuk lejohet hyrja e delegacionit në kampin e Gjadrit, autoritetet italiane pengojnë ekspertët që shoqëronin deputetët

Autoritetet italiane kanë penguar hyrjen e delegacionit të Tavolinës për Azil dhe Emigracion (TAI) në qendrën e emigrantëve në Gjadër të Shqipërisë, gjatë një vizite inspektuese të dy deputetëve italianë. Rasti ka nxitur reagime nga organizatat që monitorojnë të drejtat e emigrantëve, ndërsa ActionAid e ka cilësuar vendimin si arbitrar.

Sipas raportimit të gazetës italiane La Repubblica, delegacioni po shoqëronte deputetët Matteo Orfini dhe Rachele Scarpa, të cilët kishin shkuar në Shqipëri për të inspektuar funksionimin e qendrës.

Megjithatë, autoritetet italiane që administrojnë objektin nuk lejuan hyrjen e ekspertëve dhe përfaqësuesve të TAI-t, pavarësisht se ata kishin marrë pjesë edhe në vizita të mëparshme.

Delegacioni e kundërshtoi vendimin, por nuk arriti të marrë leje për të hyrë brenda. Si pasojë, nuk u bë e mundur as takimi me personat që mbahen në këtë qendër, transmeton Telegrafi.

ActionAid ka reaguar duke thënë se pengimi i ekspertëve vështirëson monitorimin e pavarur dhe ushtrimin e të drejtës së deputetëve për të kryer inspektime me personel të specializuar.

Organizata thekson se në dy vitet e fundit TAI dhe deputetët italianë kanë realizuar më shumë se dhjetë misione monitorimi në qendrat në Shqipëri.

Gjatë vizitës, deputetët arritën të konsultonin regjistrin e incidenteve në qendër, ku sipas raportimit janë evidentuar ankesa dhe protesta të shumta të personave të ndaluar, kryesisht për vonesat në qasjen në procedurat e azilit dhe pritjen për intervista.

Sipas të dhënave të mbledhura nga deputetët, në qendrën e Gjadrit ndodhen rreth 90 persona. Që nga vizita e fundit inspektuese, më 29 qershor 2026, rreth 220 persona të tjerë janë transferuar në këtë qendër, ndërsa transferimet e reja bëhen çdo dy javë, me nga 15 deri në 20 persona.

Raportimi thekson se personat dërgohen në Shqipëri kundër vullnetit të tyre nga qendrat italiane të ndalimit të emigrantëve. Organizatat kanë ngritur shqetësime edhe për mënyrën e transferimit, kushtet e ndalimit dhe vështirësitë në qasjen në procedurat e mbrojtjes ndërkombëtare.

Një tjetër çështje e ngritur nga organizatat është fakti se kthimi i personave në vendet e tyre të origjinës realizohet vetëm pasi ata të transferohen sërish në Itali. Ndërkohë, numri i personave që qëndrojnë në qendër mbetet shumë më i ulët se kapaciteti i parashikuar i projektit.

Delegacioni i Tavolinës për Azil dhe Emigracion ka bërë të ditur se do ta kundërshtojë vendimin për ndalimin e hyrjes në të gjitha rrugët institucionale dhe ligjore.

Rasti ka rikthyer në vëmendje debatet për marrëveshjen Itali-Shqipëri për menaxhimin e emigracionit, transparencën e funksionimit të qendrave në Gjadër dhe Shëngjin, si dhe respektimin e të drejtave të personave që mbahen në këto struktura./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.