Anglia mposhti Norvegjinë në çerekfinalen e Kupës së Botës dhe siguroi një vend në gjysmëfinale, por kishte polemika për golin e dytë të Anglisë.
Andreas Schjelderup kaloi norvegjezët në epërsi në minutën e 36-të, ndërsa Jude Bellingham përmbysi gjithçka me dy gola – të parin në minutën e dytë të kohës shtesë të pjesës së parë dhe të dytin në minutën e tretë të vazhdimeve.
Megjithatë, goli i parë i Bellinghamit shkaktoi polemika të mëdha. Aksioni i Anglisë nisi pas një largimi nga porta të portierit norvegjez Orjan Nyland, që në pamje të parë dukej jashtëzakonisht i shkurtër.
Menjëherë pas golit, Nyland protestoi te gjyqtari duke pretenduar se topi kishte prekur kabllon e kamerës ajrore, e cila ishte e varur mbi fushë.
Polemikat vazhduan edhe pas ndeshjes, ndërsa FIFA vendosi të reagojë publikisht.
FIFA: Sensori në top nuk regjistroi asnjë kontakt
Përmes profilit zyrtar FIFA Media, organizata publikoi një video të aksionit së bashku me të dhënat e regjistruara nga sensori i integruar në top.
“Para golit të Anglisë në minutën e 45+2 kundër Norvegjisë, sensori në top nuk regjistroi asnjë ndryshim në ‘rrahjet e zemrës’ të topit gjatë kohës që ai ishte në ajër. Për këtë arsye, nuk ka asnjë provë që topi ka prekur kabllon mbi fushë dhe, si pasojë, nuk ka prova se trajektorja e tij ka ndryshuar”, thuhet në reagimin e FIFA-s.
Me këtë sqarim, FIFA mbështeti vendimin e ekipit të gjyqtarëve për ta pranuar golin e Anglisë, duke theksuar se teknologjia e përdorur në top nuk evidentoi asnjë kontakt me kabllon e kamerës ajrore.
Pavarësisht shpjegimit zyrtar, incidenti vazhdon të jetë një nga momentet më të diskutuara të çerekfinaleve të Kupës së Botës 2026. /Telegrafi/
