Paga nuk është faktori i vetëm që po i shtyn qytetarët të largohen nga Kosova, sipas ekonomistes Brikena Berisha.
Në episodin e tetë të podcastit “Rrugëtimi”, Berisha ka folur për emigrimin dhe rezultatet e hulumtimeve të realizuara lidhur me tregun e punës, duke thënë se problemet sistemike kanë rol të rëndësishëm në vendimin e njerëzve për t’u larguar.
Ajo mori si shembull një hulumtim në sektorin e gastronomisë, ku, sipas saj, është parë se paga nuk është domosdoshmërisht arsyeja kryesore për largim.
“Na, kur e kemi bo në 2022 dhe 2025 një hulumtim në sektorin e gastronomisë në Kosovë, na ka dalë, domethënë, një sektor i cili ka fillu me u pagu në Kosovë, edhe pse ka shumë probleme të përgjegjësive profesionale, sepse mirë është, domethënë, prej punës në kuzhinë deri ndoshta edhe pastrimi i tualetit”, tha Berisha.
Megjithatë, sipas saj, përgjigjet e punëtorëve kanë nxjerrë në pah probleme të tjera.
“Mirëpo është thënë që nuk është paga arsyeja e largimit. Janë qeto probleme sistemike: shëndetësia, shkollimi, mbrojtja sociale dhe për shkak të këtyre arsyeve zgjedhin për me e lanë Kosovën”, deklaroi ajo.
Berisha tha se liberalizimi i vizave ka krijuar gjithashtu më shumë mundësi që qytetarët të shkojnë jashtë vendit dhe ta provojnë jetën dhe punën në një shtet tjetër.
Çështja e emigrimit, sipas saj, duhet parë përtej krahasimit të thjeshtë të pagave ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera.
Gjatë podcastit ajo argumentoi se siguria që një qytetar e ka për shëndetësinë, shkollimin, mbrojtjen sociale dhe të ardhmen e familjes ndikon drejtpërdrejt në vendimin nëse do të vazhdojë jetën në Kosovë apo do të largohet. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com