Një kameriere madje kishte refuzuar ta shërbente, ndërsa vite më vonë miliona shikues e adhuruan si president – historia e Tony Goldwyn ka shumë më tepër kthesa sesa duket
Për dekada, një aktor u përball me reagime të forta të publikut për shkak të një roli. Madje, një kameriere në një restorant kishte refuzuar ta shërbente sepse “e urrente atë që i kishte bërë Patrick Swayze-t”. Vite më vonë, i njëjti njeri u shndërrua në një nga “presidentët” më të dashur të televizionit amerikan, pas të cilit u mahnitën miliona gra në mbarë botën.
Bëhet fjalë për Tony Goldwyn, aktor, regjisor dhe producent, i cili gjatë një karriere shumëdekadëshe ka ndërtuar reputacionin e një prej artistëve më të gjithanshëm dhe më të besueshëm të Hollywood-it.
Një familje e lidhur ngushtë me Hollywood-in
Ndryshe nga shumë aktorë që e nisin karrierën nga zero, Tony lindi në zemër të industrisë së filmit. Gjyshi i tij ishte Samuel Goldwyn, një nga pionierët e Hollywood-it dhe një prej emrave që lidhen me krijimin e studios legjendare Metro-Goldwyn-Mayer.
Babai i tij, Samuel Goldwyn Jr., ishte gjithashtu producent i njohur filmi.
Megjithatë, pavarësisht mbiemrit të famshëm dhe mundësive që i ofronte familja, Tony vendosi ta mësonte seriozisht aktrimin. Studioi në Universitetin Brandeis dhe në Akademinë e Muzikës dhe Artit Dramatik në Londër, LAMDA, duke ndërtuar fillimisht përvojë në teatër para se të kalonte në film dhe televizion, transmeton Telegrafi.
Nga antagonisti i urryer te presidenti i dashur
Roli që e bëri të njohur ishte ai i Carl Bruner në filmin Ghost të vitit 1990. Personazhi i tij, i ftohtë dhe lakmitar, tradhtonte mikun e tij më të mirë, Sam, të interpretuar nga Patrick Swayze.
Roli ishte aq bindës sa për vite me radhë publiku e shihte Goldwynin me antipati edhe jashtë ekranit.
Por karriera e tij do të merrte një kthesë krejt tjetër me serialin Scandal, ku nga viti 2012 deri më 2018 interpretoi presidentin Fitzgerald Grant. Roli i presidentit karizmatik, por kompleks, i solli atij një valë të re popullariteti dhe një publik krejt tjetër.
Zëri i Tarzanit dhe role në filma të mëdhenj
Shumëkush nuk e di se Tony Goldwyn ia dha zërin Tarzanit në filmin e animuar të Disney-t, Tarzan, të vitit 1999.
Ai ka luajtur gjithashtu në filma si The Last Samurai, Divergent, King Richard dhe Oppenheimer të Christopher Nolan.
Në vitet e fundit iu bashkua edhe serialit të njohur Law & Order, ku interpreton një prokuror.
Edhe pas kamerës ka ndërtuar një karrierë të suksesshme
Goldwyn nuk ka qenë aktiv vetëm si aktor. Ai ka punuar edhe si regjisor, duke realizuar filma si A Walk on the Moon dhe Conviction, si dhe episode të serialeve të njohura Scandal, Dexter dhe Grey’s Anatomy.
Kjo e ka bërë një nga emrat që lëviz me lehtësi mes aktrimit, regjisurës dhe produksionit.
Një martesë që i ka rezistuar Hollywood-it
Ndërsa martesat e Hollywood-it shpesh bëhen pjesë e tabloideve për shkak të ndarjeve dhe skandaleve, jeta private e Tony Goldwyn është krejt ndryshe.
Që nga viti 1987 ai është i martuar me Jane Musky, skenografe dhe dizajnere produksioni. Interesant është fakti se ajo ka punuar edhe në filmin Ghost, si dhe në prodhime të tjera të njohura, përfshirë When Harry Met Sally.
Çifti ka dy vajza, Anna dhe Tess. Të dyja kanë ndjekur rrugë krijuese: Anna merret me skenar dhe produksion, ndërsa Tess me aktrim dhe regji.
Tony dhe Jane kanë zgjedhur ta mbajnë jetën familjare larg skandaleve dhe ekspozimit të tepruar publik.
Përveç aktrimit dhe regjisurës, Tony Goldwyn është angazhuar edhe në iniciativa shoqërore dhe artistike, duke mbështetur fushata për të drejtat e njeriut dhe projekte të ndryshme publike.
Nga një personazh që publiku e urrente në ekran, në një prej fytyrave më të dashura të televizionit amerikan, karriera e tij dëshmon se ndonjëherë një rol mund të të shënjojë për vite, por nuk të përcakton përgjithmonë. /Telegrafi/