Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një aksident me fatalitet ka ndodhur në fshatin Cerrcë të Istogut, ku një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë lënduar.
Policia e Kosovës për rajonin e Pejës bën të ditur se më 01 shtator 2026, rreth orës 00:02 kanë pranuar informatë për një aksident trafiku Cerrcё-Istog, ndërkaq në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor, ekipi mjekësor dhe njësiti i zjarrfikësve.
“Në këtë aksident ishin të përfshira dy vetura dhe si pasojë e këtij aksidenti lëndime trupore kanë pësuar tre persona. Të njëjtit janë dërguar me autoambulancë në spitalin rajonal në Pejë. Nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e njërit nga të lënduarit, ndërsa dy lënduarit tjerë pas trajtimit në spital, njëri nga ta për shkak të natyrës së lëndimeve është dërguar në QKUK- Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit të Shtetit, trupi i pajeti i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion, ndërsa rasti është duke u hetuar nga hetuesit e Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor DRP-Pejë. /Telegrafi/
