Një turiste britanike ka vdekur pasi ka rënë nga një lartësi prej më shumë se 500 metrash në një aksident të tmerrshëm alpinizmi.
Gruaja 42-vjeçare ka rënë nga mali përpara partnerit të saj ndërsa ecte në shpatet e Pirenejve në Spanjën veriore, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ajo ra nga maja Balaitus, ndërsa kalonte një rrugë të njohur për ecje në male të njohur si Diagonalja e Madhe.
Siç bëhet e ditur më tej, partneri i saj 53-vjeçar mbeti i padëmtuar në aksidentin e tmerrshëm në rajonin e Huescas.
Burime nga policia spanjolle konfirmuan se gruaja ishte një shtetase britanike e lindur në Mbretërinë e Bashkuar, por jetonte në Finlandë.
Alarmi u dha rreth orës 19:30 të shtunën.
Një helikopter u nis me nxitim drejt shpateve, por gruaja u shpall e vdekur në vendngjarje.
Trupi i saj u dërgua me aeroplan në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Zaragozës për një autopsi.
Një zëdhënës i Gardës Civile konfirmoi: “Një hetim është duke vazhduar dhe një raport i hartuar nga oficerët do t’i dërgohet një gjykate lokale hetuese së bashku me rezultatet e autopsisë”.
“Në këtë fazë, vdekja e gruas po trajtohet si një aksident tragjik që rezulton nga një rënie”.
Maja Balaitus është një mal të madh në rreth 3132 metra lartësi, i njohur për alpinistët.
Ajo është në kufirin midis Spanjës dhe Francës, duke ndarë Luginën Tena spanjolle nga Val d’Azun francez. /Telegrafi/
