Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin e dy shtetasve kosovarë, të cilët kërkoheshin ndërkombëtarisht përmes INTERPOL-it, me urdhër-arreste të lëshuara nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, njëri prej personave, me inicialet H.K., është ekstraduar nga Shqipëria, ndërsa personi tjetër, A.S., është ekstraduar nga Franca.
Të dy ekstradimet janë realizuar më 17 nëntor 2026, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe koordinimit me institucionet e drejtësisë.
Pas mbërritjes në Kosovë, të dyshuarit u janë dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë dhe asaj në Ferizaj, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se operacioni është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante policore dhe institucionet e drejtësisë.

