Poezi nga: Mahmoud Darwish
Përktheu (nga anglishtja): Agron Shala
Një poet tani, e jo unë,
shkruan poezi
mbi shelgun e erës së largët.
E përse trëndafili në mur
vesh petale të reja?
Një djalë tani, e jo ne,
e lëshon pëllumbin të fluturojë
lart, drejt tavanit të reve.
E përse pylli shkund gjithë
këtë borë rreth një buzëqeshjeje?
Një zog tani, e jo ne,
mbart një letër
nga toka e gazelës drejt kaltërsisë.
E përse gjuetari hyn në skenë
dhe lëshon shigjetën e tij?
Një burrë tani, e jo ne,
lan hënën
dhe ecën mbi kristalin e lumit.
E përse ngjyra bie mbi tokë
dhe ne jemi të zhveshur si pemët?
Një i dashuruar tani, e jo unë,
e fshin dashurinë e tij
në baltën e burimeve pa fund.
E përse selvia qëndron këtu
si roje te porta e kopshtit?
Një kalorës tani, e jo unë,
ndal kalin e tij
dhe dremit nën hijen e dushkut.
E përse të vdekurit dynden
drejt nesh nga muri dhe dollapi?
(Darwish, Mahmoud. A Music Sentence. If I Were Another. [përkth.] Fady Joudah. New York : Farrar, Straus and Giroux, 2009. fq. 21-22)

