Një person me inicialet A.A është lënduar në kokë në një shtëpi private në fshatin Bibaj të Ferizajt, pasi dyshohet se është goditur nga skelet.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Veseli tha se njësia reaguese ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se bëhet fjalë për personin A. A. (57 vjeç).
“Me datë 24.04.2026, rreth orës 09:50, jemi njoftuar nga Qendra Emergjente e spitalit në Ferizaj se një person është paraqitur i lënduar. Njësia reaguese ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se bëhet fjalë për personin A. A. (57 vjeç)”, ka thënë Veseli.
Ai tha se sipas mjekut kujdestar, i lënduari kishte pësuar lëndime në kokë dhe është dërguar në QKUK – Prishtinë për trajtim të mëtejmë.
“Bazuar në informacionet fillestare, dyshohet se, derisa ishte duke tërhequr disa skele (konstruksione metalike) nga një shtëpi private në fshatin Bibaj, është goditur në kokë nga një pjesë e skeletit (hekurit), me ç’rast ka pësuar lëndime. Njësitë policore, hetuesit dhe krimtekniket jane duke ekzaminuar vendin e ngjarjes. Nga informatat shtesë, që kemi pranuar , ai është duke u trajtuar dhe ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe sipas mjekeve gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut per jetën”, ka thënë ai.
Po ashtu Veseli tha se për zhvillimet e mëtejme të hetimeve do t’ju njoftojmë me raport vijues. /Telegrafi/