Një person është gjetur pa shenja jete pasditen e së dielës në fshatin Godanc i Epërm, në komunën e Shtimes.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, rasti është raportuar rreth orës 15:15 nga një qytetar, i cili kishte informuar se një person ishte rrëzuar në tokë dhe kishte nevojë për ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas pranimit të thirrjes, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore dhe ekipi emergjent nga Shtimja. Pas ekzaminimit nga mjekët, është konstatuar se personi nuk kishte shenja jete.
Viktima është identifikuar si L.V., 36 vjeç.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, janë njoftuar hetuesit dhe krimteknikët rajonalë për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme procedurale dhe hetimore.
Ai ka bërë të ditur se për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa hetimet për rrethanat e ngjarjes janë duke vazhduar.