Kanë nisur punimet për largimin dhe zëvendësimin e gypave të vjetër të asbest-betonit në disa pjesë të qytetit të Vitisë.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me bashkëpunëtorë dhe përgjegjësin e degës së KRU “Hidromorava” në Viti, Kemur Mustafa, ka vizituar nga afër punimet që po zhvillohen përgjatë rrugës pranë lumit “Morava e Binçës”.
Në këtë pjesë po bëhet zëvendësimi i rrjetit të vjetër të ujësjellësit me gypa të rinj, me synim përmirësimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë të pijshëm.
Haliti e ka vlerësuar fillimin e punimeve, duke theksuar rëndësinë e modernizimit të rrjetit të ujësjellësit dhe përmirësimit të furnizimit me ujë për qytetarët.
“Është e rëndësishme që të vazhdojmë me zëvendësimin e rrjetit të vjetër të ujësjellësit dhe të intervenojmë në të gjitha pjesët ku ende ka gypa të asbest-betonit. Këto punime kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët tanë dhe për një infrastrukturë më të sigurt dhe më funksionale të ujësjellësit”, ka thënë Haliti.
Sipas KRU “Hidromorava”, punime të ngjashme pritet të zhvillohen edhe në pjesë të tjera të qytetit, përgjatë rrugëve “UÇK”, “Idriz Seferi” dhe “Hasan Kabashi”.
Ndërhyrjet synojnë përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm, reduktimin e problemeve në rrjet dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët e Vitisë. /Telegrafi/