Salla e vogël e koncerteve, e njohur në gjermanisht si Kleine Tonhalle, gjendet jo larg bregut të Liqenit të Zürichut. Ditën, kur moti është i kthjellët, në horizont shihen Alpet e Glarusit, ndërsa një mashtrim optik nganjëherë krijon përshtypjen sikur bora ka rënë mbi liqen.
Natën Alpet nuk shihen, por nga fundi i nëntorit deri në fillim të janarit rrugët në qendër të Zürichut, e sidomos e famshmja Bahnhofstrasse, njëra ndër rrugët më të shtrenjta në botë, shkëlqejnë nga dritat dhe dekorimet në pritje të festave të fundvitit.
Në mes të kësaj atmosfere qytetare ndodhet Kleine Tonhalle, një qendër e kulturës dhe e veprimtarive të shumta artistike. Salla ka 609 vende, në parket dhe në ballkon. Ndoshta të mërkurën në mbrëmje nuk ishin tamam 609 veta në sallë, por përshtypja ishte kjo: ajo ishte plot e përplot. Kryesisht shqiptarë të helvetizuar dhe adhurues të artit. Ata kishin ardhur në Zürich për të shijuar një koncert të mezzosopranes Flaka Goranci. Ajo kishte marrë me vete edhe tri artiste të mërgatës: Tringa Sadikun në kitarë, Florida Krasniqin në çifteli dhe Arbëreshën (emër artistik) me def. Të tria shkëlqyen me virtuozitet dhe gracilitet. Bashkë me Flaka Gorancin, e cila shquhet si për përsosmërinë artistike, ashtu edhe për praninë e fuqishme skenike, kjo trupë ngjalli zërat e së kaluarës.
Koncerti ishte humanitar, me një qëllim fisnik: përmes këtij projekti synohet të mbështetet një nismë për ruajtjen e kostumeve arbëreshe në Piana degli Albanesi të Sicilisë, ku jeton një komunitet arbëresh. Është një ide e mirë, sepse edhe Piana degli Albanesi, si shumë fshatra të Italisë dhe gjetkë në Evropë, vuan nga tkurrja e popullsisë.
Të kaluarën e mbajnë gjallë njerëzit. Pa njerëz, kultura përfundon në muze. Kjo vlen edhe për kulturën e veshjes, e cila ndër arbëreshët e Sicilisë ka një rëndësi të veçantë. Për këtë bindet kushdo që e viziton këtë fshat gjatë festës së Pashkëve, kur banorët organizojnë një procesion shumëngjyrësh.
Synimi i koncertit ishte të krijonte «një dialog muzikor mes këndimit operistik, kitarës klasike dhe tingujve autentikë të çiftelisë, lahutës dhe defit». Ky synim u arrit, pa dyshim. «Të ardhurat nga shitja e biletave do të mbështesin themelimin e shkollës së parë për punimin e veshjeve tradicionale arbëreshe, me synimin për të ruajtur artin shekullor të qëndisjes me fije ari dhe për t’ua përcjellë atë brezave të ardhshëm», thuhej në njoftimin e organizatorëve.
Këto veshje e meritojnë një përhapje më të gjerë ndër shqiptarë, sidomos për raste solemne. Një kontribut të dobishëm për këtë dha Flaka Goranci me angazhimin e saj vetëmohues dhe përmes këngëve të lashta (jo thjesht të vjetra), të cilat na kujtojnë rrënjët tona. Nga ky këndvështrim e përshkroi koncertin edhe ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Ermal Dredha, i cili në fjalën e tij nënvizoi rëndësinë e kultivimit të vlerave kombëtare, autentike dhe autoktone.
Koncerti u mbështet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë. Duartrokitjet e shumta që e shoqëruan koncertin ishin dëshmia më e sinqertë e vlerësimit për këtë nismë. Një festë e artit mes dritave të Zürichut – kështu ishte mbrëmë në Kleine Tonhalle.

