Rundi i ri i bisedimeve trepalëshe të paqes Rusi – Ukrainë, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, filloi sot në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Abu Dhabi. I dërguari presidencial rus Vladimir Medinsky kryeson delegacionin e Moskës ndërsa Kievi udhëhiqet nga kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës, Rustem Umerov.
Bisedimet janë të parat që zhvillohen që kur negociatat trepalëshe u mbajtën në Gjenevë të Zvicrës më 17-18 shkurt, të cilave u paraprinë dy raunde të tjera negociatash më 23-24 janar dhe 4-5 shkurt, të organizuara në kryeqytetin e EBA-së.
“Në takimet në Abu Dhabi, ekipi ynë do të propozojë hapa de-përshkallëzues“, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në një fjalim video të mbrëmjes të hënën vonë. Zelensky theksoi nevojën për paqe, garanci sigurie dhe burime për rimëkëmbjen e Ukrainës pas luftës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se bisedimet do të fokusohen në garancitë e sigurisë, duke shtuar se përfaqësuesit evropianë nuk do të marrin pjesë sepse negociatat fillimisht u ranë dakord si një format trepalësh.
“Ajo që do të ndodhë në Abu Dhabi në ditët në vijim janë negociatat trepalëshe midis Rusisë dhe Ukrainës me ndërmjetësimin e SHBA-së. Sa i përket pranisë së evropianëve, ju e dini se amerikanët kanë kanalet e tyre të komunikimit me evropianët dhe ukrainasit me evropianët“, u tha ai gazetarëve gjatë konferencës për media të hënën.
Megjithatë, Komisioni Evropian dhe NATO, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë dhe Gjermaninë, do të dërgojnë përfaqësues në Abu Dhabi, tha Umerov. Përpara bisedimeve trepalëshe, në një deklaratë në Telegram, Umerovi njoftoi mbajtjen e një takimi me përfaqësuesit evropianë dhe të dërguarit e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. /abcnews

