KORREKT / SOT30 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Nis nata e parë e Festivalit “Akordet e Kosovës”, artistët sjellin zhanre të ndryshme muzikore në skenën e Prishtinës

Nis nata e parë e Festivalit “Akordet e Kosovës”, artistët sjellin zhanre të ndryshme muzikore në skenën e Prishtinës

Ka nisur nata e parë e edicionit të katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, i cili po mbahet në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, duke sjellë në skenë artistë nga Kosova dhe Shqipëria.

Mbrëmja muzikore është hapur me një kolazh këngësh të interpretuar nga Teuta Kurti dhe Florent Abrashi, ndërsa më pas ka nisur gara me paraqitjet e para konkurruese.

Spektakli po drejtohet nga moderatori i RTK-së, Agron Krasniqi dhe aktorja Flaka Latifi, ndërsa po transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

I pari në garë është prezantuar Besmir Shishko me këngën “Përjetësisht”, për të cilën muzikën e ka realizuar së bashku me Armend Shalën, ndërsa tekstin e ka shkruar vetë. Orkestrën në këtë interpretim e ka dirigjuar Liriona Sulajmani.

Pas tij, në skenë është ngjitur Shpend Lleshi, i njohur si Pena, me këngën “Vala”. Ai ka realizuar vetë muzikën dhe tekstin, ndërsa orkestrën e ka dirigjuar maestro Memli Kelmendi. Gjatë prezantimit, moderatori ka theksuar edhe prejardhjen e tij nga Gjakova dhe të kaluarën si veteran i UÇK-së, duke vënë në pah se këtë herë ai po prezantohet para publikut përmes pasionit për muzikën.

Në vazhdim, këngëtarja Verona Kastrati ka interpretuar këngën “Flakë”, me muzikë dhe tekst të Valon Gashit. Ky i fundit, ndryshe nga edicioni i kaluar, kur ishte pjesë e orkestrës së festivalit, këtë vit garon si autor i një prej këngëve konkurruese.

Pjesë e garës është edhe këngëtarja nga Shqipëria, Sajana Kodheli, e cila është prezantuar me këngën “E lirë”. Muzika është realizuar nga Klodian Reçepaj, ndërsa tekstin e ka shkruar Sonja Vokopola. Gjatë prezantimit, moderatorët kanë vënë në pah pjesëmarrjen e artistëve nga Shqipëria, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit kulturor mes dy vendeve.

Një paraqitje të veçantë ka sjellë edhe këngëtarja e re Troja Bicurri, e cila ka interpretuar këngën “Mali dhe hëna”, me tekst dhe muzikë të realizuar nga vetë ajo. Troja është paraqitur në skenë me kitarë, duke sjellë një interpretim të shoqëruar me vargje që përshkruajnë dy personazhe nga botë të ndryshme.

Ndërkaq, grupi Hawolf ka sjellë një tjetër frymë muzikore në këtë edicion. I përbërë nga katër vëllezër me mbiemrin Havolli, grupi ka interpretuar këngën “Ti s’je unë”, për të cilën ka realizuar vetë muzikën, tekstin dhe interpretimin. Krijimtaria e tyre ndërthur rock-un alternativ me elemente të heavy metal-it.

Jonida Maliqi rikthehet në Prishtinë pas 15 vjetësh

Mysafirja speciale e natës së parë ka qenë këngëtarja shqiptare Jonida Maliqi, e cila është rikthyer në skenën e Prishtinës pas 15 vjetësh.

E pritur me duartrokitje nga publiku, Maliqi ka shprehur kënaqësinë që është bërë pjesë e edicionit të katërt të “Akordeve të Kosovës”, duke vlerësuar organizimin dhe rrugëtimin e festivalit.

Këngëtarja, e cila ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision dhe ka qenë trajnere në “The Voice of Albania”, ka ndarë edhe kujtime nga përvoja e saj në festivalin evropian, duke veçuar mbështetjen që kishte marrë nga publiku, mediat dhe ekipi organizativ.

Ajo ka shprehur gjithashtu dëshirën që Kosova të përfaqësohet në Eurovision në të ardhmen, duke vlerësuar potencialin e artistëve dhe vokalet që ka vendi.

“Mezi po pres dhe unë që ta përfaqësoheni atje, me super vokalet që ka Kosova”, ka thënë Maliqi.

Gjatë paraqitjes së saj, këngëtarja ka interpretuar edhe “Thesar pa emër”, një prej këngëve më personale të repertorit të saj, të cilën ia ka kushtuar djalit.

“Është një ndër këngët më personale që kam kënduar. Ka qenë dedikim për tim bir dhe sa herë e dëgjoj, në fakt emocionohem dhe qaj”, ka treguar ajo. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.