Një armëpushim ka hyrë në fuqi në qytetin Oleshky, të pushtuar nga Rusia në Ukrainë, një javë pasi marrëveshja u njoftua nga zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump. Ndalimi i luftimeve synon të mundësojë dërgimin e ndihmave humanitare dhe evakuimin e civilëve të bllokuar në qytet.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi në Telegram se kishte ndalur goditjet drejt qytetit ukrainas të Khersonit, në anën tjetër të lumit Dnipro, në orën 04:00 sipas kohës së Moskës, në përgatitje për operacionin humanitar, transmeton Telegrafi.
Oleshky ndodhet në bregun jugor të lumit Dnipro, i cili përbën vijën e frontit në rajonin e Khersonit. Banorët që kanë mbetur në qytet përballen prej kohësh me mungesa të mëdha të ushqimit dhe furnizimeve të tjera jetike.
Komisioneri i Parlamentit ukrainas për të Drejtat e Njeriut, Dmytro Lubinets, konfirmoi në rrjetet sociale se armëpushimi kishte nisur. “Si drejtues i ekipit negociator ukrainas, konfirmoj se pala ukrainase po i përmbush angazhimet e saj”, shkroi ai në Facebook.
Forcat ruse pushtuan Oleshky-n gjatë ditëve të para të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022. Që atëherë, banorët kanë mbetur të bllokuar mes pozicioneve ukrainase në anën tjetër të lumit Dnipro dhe forcave ruse në lindje, me qasje të kufizuar në ushqim dhe ndihma.
Para luftës, qyteti kishte rreth 24 mijë banorë. Sipas vlerësimeve të Ukrainës, aktualisht në qytet dhe zonat përreth kanë mbetur rreth 6 mijë persona, përfshirë afërsisht 200 fëmijë.
Shtëpia e Bardhë njoftoi javën e kaluar se Melania Trump kishte siguruar armëpushimin në Oleshky. Në një deklaratë për shtyp, ajo tha se përfaqësues civilë, jo ushtarakë, nga të dyja vendet do të bashkëpunojnë për të vizituar banorët në shtëpitë e tyre dhe për të vlerësuar nevojat e tyre për ndihmë.
Megjithëse Melania Trump ka një profil më të ulët publik se disa nga paraardhëset e saj dhe shfaqet vetëm herë pas here në aktivitetet e Shtëpisë së Bardhë, ajo është përfshirë në çështje humanitare që lidhen me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në gusht të vitit 2025, ajo i dërgoi një letër presidentit rus Vladimir Putin, duke i bërë thirrje se “ka ardhur koha për të mbrojtur fëmijët dhe brezat e ardhshëm në mbarë botën”. /Telegrafi/

