Tre peshq të llojit ballgjër janë gjetur të ngordhur në Liqenin e Badovcit, ka njoftuar Shoqata e Peshkatarëve Sportivë Rekreativë “Krapi”.
Sipas njoftimit të kësaj shoqate, informacionet për peshqit e ngordhur janë pranuar gjatë ditës së 19 shtatorit, pas së cilës një ekip i saj ka dalë në terren për të verifikuar gjendjen.
Shoqata ka bërë të ditur se ka identifikuar tre peshq të ngordhur, për të cilët thotë se kanë një peshë të konsiderueshme.
“Biomasa e tyre është jashtëzakonisht e madhe: dy prej tyre vlerësohen të jenë rreth 40 kg, ndërsa i treti kalon peshën prej 50 kg”, thuhet në njoftim.
Për shkak të orëve të vona dhe reshjeve të shiut, inspektimi në terren është ndërprerë përkohësisht, ndërsa Shoqata ka paralajmëruar se verifikimet do të vazhdojnë për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.
“Për shkak të orëve të vona dhe reshjeve të favorshme të shiut gjatë mbrëmjes, puna në teren është ndërprerë përkohësisht. Inspektimi dhe verifikimi i mëtejshëm do të vazhdojë nesër për të konstatuar shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftim, shkruan Telegrafi.
Shoqata “Krapi” ka ngritur dyshime lidhur me faktin se peshqit e këtij lloji, sipas saj, zakonisht qëndrojnë në thellësi dhe nuk frekuentojnë ujërat e cekëta.
“Vetëm 3 ditë më parë, njëri nga këta peshq është incizuar i gjallë nga një peshkatar në një zonë me thellësi ujore prej vetëm rreth 1 metri”, thuhet më tej.
Sipas shoqatës, pas këtij rasti është monitoruar me kujdes situata, pasi lëvizja e peshqve në ujëra të cekëta është konsideruar si sinjal se mund të kishte probleme me gjendjen e tyre shëndetësore ose me mjedisin ujor.
Megjithatë, shkaqet e ngordhjes së peshqve ende nuk janë përcaktuar.
Shoqata “Krapi” ka bërë të ditur se do të publikojë informacione të reja pas përfundimit të verifikimeve në terren. /Telegrafi/