Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Detroitit në SHBA, ku një djalë vetëm 5-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi është qëlluar me armë zjarri brenda shtëpisë së tij. Fëmija ndodhet në gjendje kritike në spital.
Ngjarja ka ndodhur të premten, më 20 nëntor, pak para orës 17:00, në pjesën veriperëndimore të qytetit, shkruan People, transmeton IndeksOnline.
Sipas hetimeve paraprake të policisë, në momentin e incidentit, 5-vjeçari ndodhej në katin kryesor të banesës, së bashku me dy fëmijë të tjerë, të moshës 2 dhe 4 vjeç.
Zëvendësshefja e Policisë së Detroitit, Sonia Russell, bëri të ditur se nëna e djalit ndodhej në katin e sipërm të shtëpisë, së bashku me një familjar tjetër, kur dëgjuan të shtënën me armë zjarri.
Nëna ka zbritur menjëherë poshtë, ku e ka gjetur të birin të shtrirë me fytyrë nga dyshemeja.
Autoritetet dyshojnë se arma e zjarrit nuk ishte e siguruar dhe se fëmija kishte arritur ta merrte atë. Sipas policisë, arma rezulton e zhdukur dhe ende nuk është gjetur.
Deri më tani, askush nuk është arrestuar në lidhje me rastin, ndërsa disa familjarë po merren në pyetje nga hetuesit.

