Industria ushqimore vazhdon të jetë shtylla kryesore e prodhimit në Kosovë, ndërsa përpunimi i drurit, plastika, shërbimet dhe industria metalpërpunuese janë ndër sektorët me potencialin më të madh për zhvillim dhe eksport.
Kështu deklaroi kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës (OEK), Kushtrim Ajvazi, në “Përballje Podcast”, ku foli për sektorët që aktualisht po e mbajnë industrinë prodhuese të vendit.
Sipas tij, industria ushqimore vazhdon të shënojë rritje të qëndrueshme dhe po konkurron gjithnjë e më shumë produktet e importuara.
“Industria ushqimore vazhdon të ketë një zhvillim të mirë dhe po e zëvendëson importin, duke konkurruar si në cilësi ashtu edhe në çmim”, tha Ajvazi shkruan Telegrafi.
Ai veçoi edhe industrinë e përpunimit të drurit si një nga sektorët me potencialin më të madh eksportues, ndërsa tha se edhe industria e plastikës po shënon rritje të vazhdueshme.
Një sektor që, sipas tij, po jep rezultate të mira është edhe industria e shërbimeve.
– YouTube www.youtube.com
“Industria e shërbimeve është e vetmja që ka suficit në eksport. Edhe pse nuk është prodhim fizik, ajo është një nga historitë më të suksesshme të ekonomisë sonë”, u shpreh Ajvazi.
Ai përmendi edhe industrinë metal-përpunuese si një sektor me potencial, por paralajmëroi se kompanitë do të përballen me sfida të reja për shkak të taksës së karbonit që po zbatohet në tregun evropian.
“Industria metalpërpunuese ka potencial të madh, por po përballet me sfida, sidomos në tregun evropian për shkak të taksës së karbonit. Si shtet duhet të ndërhyjmë me politika që e bëjnë industrinë më të gjelbër, sepse së shpejti të gjitha kompanitë prodhuese do të ngarkohen me këtë taksë”, deklaroi Ajvazi.
Sipas tij, mbështetja e këtyre sektorëve është thelbësore për rritjen e prodhimit vendor, zgjerimin e eksporteve dhe uljen e varësisë së Kosovës nga importi./Telegrafi/.
