Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero, ka pësuar një lëndim gjatë një ndeshjeje miqësore në Cyrih, ku morën pjesë edhe disa prej yjeve të njohur të futbollit, përfshirë Ronaldinhon.
Ish-futbollisti italian 51-vjeçar ishte pjesë e ndeshjes së organizuar mes ekipit “Del Piero & Friends” dhe “Ronaldinho & Friends”, të zhvilluar të premten në kuadër të Zurich All-Star Game.
Incidenti ndodhi derisa Del Piero tentoi të realizonte një veprim teknik me thembër, por në atë moment pësoi lëndim dhe përfundoi në tokë nga dhimbjet.
Sipas raportimeve të Football Italia, ish-reprezentuesi i Italisë u largua nga fusha duke çaluar rëndë, ndërsa shkalla e lëndimit duket të jetë më serioze sesa një goditje e zakonshme.
Shqetësimet u shtuan edhe më shumë të shtunën, kur Del Piero u pa me paterica në aeroportin e Torinos, derisa po kthehej nga aktiviteti në Zvicër.
Del Piero mbetet një prej figurave më të mëdha në historinë e Juventusit, me të cilin fitoi shumë trofe vendorë, ndërsa me Kombëtaren e Italisë u shpall kampion bote në vitin 2006./Telegrafi/

