KORREKT / SOT8 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Hasani ngre dyshime për doktoraturat e Avni Pukës në Prishtinë dhe Romë, dekani i kishte mohuar akuzat

Hasani ngre dyshime për doktoraturat e Avni Pukës në Prishtinë dhe Romë, dekani i kishte mohuar akuzat

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka ngritur sërish pretendime për parregullsi akademike lidhur me doktoraturat e dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Avni Puka.

Përmes një e-maili drejtuar senatorëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Këshillit Drejtues dhe anëtarëve të Fakultetit Juridik, Hasani ka pretenduar se Puka ka përdorur të njëjtën tezë doktorature në dy universitete të ndryshme, atë të Prishtinës dhe Universitetin “La Sapienza” në Romë.

Hasani ka thënë se ka shqyrtuar dhe krahasuar personalisht të dy disertacionet, duke pretenduar se ato nuk përfaqësojnë dy hulumtime të pavarura shkencore, por të njëjtën tezë, të përkthyer nga shqipja në italisht.

“Pas një shqyrtimi të hollësishëm, të kryer personalisht, faqe për faqe, kam konstatuar se nuk bëhet fjalë për dy hulumtime të pavarura shkencore, por, në thelb, për të njëjtën tezë doktorature, të përkthyer nga shqipja në italisht dhe të përdorur për fitimin e dy titujve të veçantë akademikë”, ka shkruar Hasani.

Ai e ka cilësuar këtë rast si një ndër skandalet më të rënda akademike që kanë përfshirë Universitetin e Prishtinës dhe atë “La Sapienza” të Romës.

Sipas Hasanit, çështja nuk ka të bëjë vetëm me ripërdorimin e pjesëve të një punimi shkencor, por me pretendimin se e njëjta tezë është përdorur për marrjen e dy titujve të doktorit të shkencave.

Në e-mailin e tij, profesori ka përmendur edhe rregullativat e Universitetit të Prishtinës, për të cilat pretendon se ndalojnë mbrojtjen e së njëjtës tezë doktorature në një institucion tjetër, qoftë në të njëjtën kohë apo në një periudhë të mëvonshme.

Hasani ka ngritur gjithashtu çështjen e CV-së së Pukës, duke pretenduar se dekani ka larguar nga ajo të dhënat për doktoratën në Universitetin “La Sapienza”, një ditë pasi ai kishte publikuar akuzat lidhur me këtë çështje.

“Që nga dita e nesërme pasi unë kam denoncuar se ai ka bërë fals doktoraturën, ka fshirë nga CV-ja e tij të dhënën që ka doktoruar në Fakultetin Juridik të Universitetit ‘La Sapienza’”, ka deklaruar Hasani.

Ai ka pretenduar gjithashtu se Puka nuk e ka bërë nostrifikimin e diplomës së marrë në universitetin italian.

Për këtë çështje, Hasani ka bërë të ditur se u është drejtuar edhe institucioneve kompetente në Itali, përfshirë Universitetin “La Sapienza” dhe Ministrinë e Universiteteve dhe Kërkimit, duke kërkuar sqarime lidhur me procedurat dhe ligjshmërinë e marrjes së titujve akademikë.

Ai u ka bërë thirrje organeve drejtuese dhe stafit akademik të Universitetit të Prishtinës që t’i shqyrtojnë të dy disertacionet dhe të vlerësojnë pretendimet e ngritura.

Hasani ka përmendur edhe një kërkesë që, sipas tij, Prokuroria e Kosovës ua ka drejtuar autoriteteve italiane disa muaj më parë, për sigurimin e informacioneve dhe dokumenteve lidhur me rastin.

Ndërkohë, Avni Puka i kishte mohuar më herët këto pretendime, duke i cilësuar deklaratat e Hasanit si shpifje, thashetheme dhe fyerje.

Puka kishte deklaruar se akuzat për plagjiaturë dhe mashtrim lidhur me doktoraturën në Romë përbënin përpjekje për dëmtimin e imazhit dhe reputacionit të tij personal e profesional.

Deri më tani, pretendimet e ngritura nga Hasani dhe qëndrimi i Pukës për këtë çështje mbeten në pritje të sqarimit nga institucionet kompetente. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.