Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar sot Katalogun Zyrtar të Teksteve Shkollore dhe ka njoftuar se janë ekzekutuar mjetet financiare në llogaritë e prindërve përfitues për subvencionimin e teksteve për nxënësit e klasave 1–9 për vitin shkollor 2026/2027.
Sipas MASh, aplikimi për subvencionim ka nisur më 27 korrik përmes platformës eKosova, ndërsa aplikimet janë verifikuar fillimisht nga koordinatorët e autorizuar nëpër shkolla dhe më pas nga komisioni përkatës i ministrisë. Lista përfundimtare e përfituesve i është përcjellë Ministrisë së Financave për realizimin e pagesave.
Ministria ka bërë të ditur se pas negociatave me shtëpitë botuese janë përcaktuar çmimet finale të teksteve shkollore. Katalogu zyrtar përcakton çmimin e secilit tekst, ndërsa këto çmime janë të detyrueshme për të gjitha pikat e shitjes.
Vlera e subvencionimit për tekstet shkollore në gjuhën shqipe, sipas klasave, është:
- Klasat 1 dhe 2: 60 euro
- Klasa 3: 65 euro
- Klasa 4: 70 euro
- Klasa 5: 80 euro
- Klasat 6 dhe 7: 90 euro
- Klasat 8 dhe 9: 100 euro
Me miratimin dhe publikimin e katalogut, prindërit dhe kujdestarët ligjorë mund të nisin blerjen e teksteve shkollore.
MASh u ka bërë thirrje prindërve që gjatë blerjes të kontrollojnë nëse tekstet po shiten me çmimet e përcaktuara në katalogun zyrtar.
Ndërkohë, Inspektorati i Arsimit do të nisë nga sot monitorimin intensiv të pikave të shitjes, me qëllim verifikimin e respektimit të çmimeve.
Pas fillimit të vitit shkollor, inspektorët do të kryejnë verifikime edhe në shkolla për të konstatuar nëse nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore.
Çmimet e përcaktuara në këtë katalog janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha pikat e shitjes së teksteve shkollore.
Katalogu është publikuar online dhe mund ta gjeni në: https://mash.rks-gov.net/…/katalogu-i-teksteve…/ .
Prindërit që hasin mospërputhje mes çmimeve të katalogut dhe atyre në pikat e shitjes mund ta raportojnë rastin në numrat zyrtarë të MASh: +383 (0) 38 200 65 144 dhe +383 (0) 38 200 65 005.
Ministria ka njoftuar gjithashtu se sistemi i aplikimit në eKosova mbetet i hapur për fëmijët që ende nuk janë regjistruar në klasën e parë dhe do të regjistrohen në afatin e dytë.
I njëjti sistem mbetet i hapur edhe për prindërit e nxënësve të niveleve të tjera që, për arsye të ndryshme, ende nuk kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore./Telegrafi/
