Qyteti i New York-ut do ta shënojë zyrtarisht çdo vit 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, pas miratimit të një rezolute nga këshilli bashkiak, duke e përfshirë këtë festë kombëtare në kalendarin zyrtar të qytetit amerikan.
Shënimi i parë sipas këtij vendimi do të bëhet këtë të shtunë, më 28 nëntor, kur shqiptarët në mbarë botën festojnë 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Rezoluta është miratuar më 19 nëntor, ndërsa katër ditë më vonë, këshilli bashkiak ka ftuar komunitetin shqiptar në Nju Jork për të festuar në ambientet e bashkisë së qytetit, raporton First Balkan Media.
Nisma është sponsorizuar nga anëtarja e këshillit bashkiak, Amanda Farías, së bashku me koleget Shirley Aldebol dhe Farah N. Louis.
Në dokumentin e miratuar vlerësohet kontributi i komunitetit shqiptar ndër dekada në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor të Nju Jorkut.
Shqiptarët kanë nisur të vendosen në këtë qytet që nga fillimi i viteve 1920. Sipas Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, aktualisht mbi 100 mijë persona me prejardhje shqiptare jetojnë në pesë distriktet e Nju Jorkut, me përqendrim të madh në Bronx dhe Staten Island.

