Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka njoftuar qytetarët për ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve në disa segmente rrugore, si pasojë e punimeve për ndërtimin e sheshit të ri dhe funksionalizimin e urës së re.
Sipas tij, kufizimi i qarkullimit do të vlejë në aksin nga Ura e Zallit të Vjetër deri te Ura e Re, si dhe në rrugët “Lekë Dukagjini” dhe “Bajram Kelmendi”.
“Luten të gjitha institucionet dhe ekipet emergjente, në veçanti autoambulancat, që të planifikojnë lëvizjet alternative dhe të mos e shfrytëzojnë këtë aks rrugor gjatë kohës së ndërprerjes, me qëllim të shmangies së vonesave dhe garantimit të reagimit sa më të shpejtë në raste urgjente”, ka shkruar Muhaxheri.
Ai ka bërë thirrje për mirëkuptim nga qytetarët, duke theksuar se ndërhyrjet janë pjesë e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës urbane në qytet. /Telegrafi/