Komuna e Gjilanit ka nisur shpërndarjen e grupit të parë të pakove “Baby Box”, përmes të cilave do të mbështeten 455 familje që kanë mirëpritur foshnjat e tyre.
Në nisjen e kësaj nisme morën pjesë nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arianit Sadiku, dhe drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu.
Ata theksuan rëndësinë e këtij projekti për mbështetjen e prindërve të rinj dhe përkujdesjen ndaj të porsalindurve.
Sipas njoftimit të komunës, pakot përmbajnë produkte të nevojshme për ditët e para të jetës së foshnjave dhe janë pjesë e angazhimit për mbështetjen e familjeve gjilanase.
Nënkryetari Sadiku tha se kjo nismë përfaqëson një gjest simbolik të përkujdesjes dhe mbështetjes së komunës për familjet, duke ndarë me to gëzimin e ardhjes në jetë të anëtarëve të rinj.
Komuna ka bërë të ditur se shpërndarja e pakove “Baby Box” do të vazhdojë rregullisht, me synimin që secili i porsalindur në këtë komunë të përfitojë nga kjo nismë.
Me këtë rast, përfaqësuesit komunalë u uruan prindërve të rinj shëndet, lumturi dhe mbarësi, ndërsa foshnjave një jetë të shëndetshme. /Telegrafi/

