Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetimet ndaj tre personave të dyshuar, të cilët, pas zbatimit të një urdhri kontrolli, janë ndaluar për 48 orë.
Sipas njoftimit, vendimi për fillimin e hetimeve është marrë nga Prokurori i Shtetit i Departamentit të Krimeve të Rënda, ndërsa në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj është realizuar kontroll në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të të pandehurve.
“Është zbatuar një urdhër kontroll në shtëpinë dhe lokalet përcjellëse të të pandehurve në këtë rast, të cilët më pas janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Të dyshuarit po hetohen për veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje në ndihmë”, “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëkryerje dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në njoftim është trajtuar edhe çështja e mbrojtjes ligjore, ku Prokuroria ka bërë të ditur se dy nga të pandehurit nuk kishin autorizuar avokat, ndaj është iniciuar procedura për caktim të mbrojtësve sipas detyrës zyrtare.
“Dy të pandehurit në këtë rast nuk kanë autorizuar avokat dhe me urdhër verbal të prokurorit është autorizuar shefi i hetimeve të NJHKEK- në Ferizaj, që të njoftoj Odën e Avokatëve të Kosovës, për dërgimin e dy avokatëve sipas detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka deklaruar se Zyra koordinuese e Odës së Avokatëve të Kosovës në Prishtinë ka kërkuar fillimisht emrat e të pandehurve dhe veprat penale për të cilat dyshohen, para se të dërgojë avokatët mbrojtës.
“Zyra koordinuese… fillimisht ka kërkuar që t’i ipen emrat e të pandehurve dhe veprat penale për cilat dyshohen e pastaj të dërgojnë avokatët”, thuhet më tej.
Sipas Prokurorisë, Prokurori i Shtetit i ka njoftuar për pasojat e moszbatimit të kërkesës së organeve të rendit, duke vlerësuar se vonesat e tilla “paraqesin pengesa në zbatimin e procedurës hetimore”. /Telegrafi/