Aktori amerikan RJ Mitte, i njohur për rolin e djalit të Walter White në serialin e famshëm “Breaking Bad”, ka vdekur në moshën 34-vjeçare.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të aktorit të dashur, filantropit dhe aktivistit të përkushtuar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, RJ Mitte”, ka deklaruar për BBC-në përfaqësuesi i tij.
Aktori ka vdekur në Brownsville të Teksasit. Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur, ndërsa policia ka konfirmuar se hetimet për rastin janë ende në vazhdim.
Sipas autoriteteve, deri më tani nuk dyshohet për ndonjë vepër penale.
Mitte, i cili jetonte me paralizë cerebrale, e shfrytëzoi përvojën e tij personale për të interpretuar personazhin e Walter White Jr. në serialin e vlerësuar me çmime “Breaking Bad”, ku luanin edhe Bryan Cranston dhe Aaron Paul, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv
Puna e tij në këtë serial i solli një çmim nga Shoqata e Aktorëve të Filmit (Screen Actors Guild) në vitin 2014.
Përfaqësuesi i tij, Sean Reilly, tha se Mitte i dha rolit autenticitet dhe shfrytëzoi famën për të rritur ndërgjegjësimin për aftësinë e kufizuar dhe rëndësinë e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në shoqëri.
Përveç karrierës në aktrim, ai shërbeu si ambasador i organizatave United Cerebral Palsy dhe Shriners Children's. Ai themeloi gjithashtu Fondacionin Mitte, përmes të cilit mbështeti iniciativa filantropike dhe projekte komunitare, duke synuar të sfidonte stereotipat dhe të nxiste përfaqësim më të madh të personave me aftësi të kufizuara.

