Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka nënshkruar marrëveshje huaje në vlerë prej 60 milionë eurosh me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), për financimin e projektit “Lojërat e XXI Mesdhetare në Kosovë – Prishtina 2030”.
Marrëveshja është nënshkruar në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të ministrit të deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, dhe në prani të drejtorit të Zyrës Rajonale për Ballkanin Perëndimor në AFD, Arnaud Dauphin.
Sipas njoftimit, fondet do të përdoren për renovimin dhe zgjerimin e Kompleksit të Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës, si dhe për ndërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës sportive në institucione arsimore në mbarë vendin.
Nga ky projekt pritet të përfitojnë mbi 40 mijë studentë dhe nxënës, përmes krijimit të hapësirave moderne, të qasshme dhe gjithëpërfshirëse për arsim dhe sport.
Marrëveshja gjithashtu hap rrugën për një grant shtesë prej 10 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Pas ceremonisë së nënshkrimit, Murati zhvilloi takim me përfaqësues të AFD-së, ku u diskutua bashkëpunimi aktual dhe mundësitë për zgjerimin e partneritetit në sektorë prioritarë për zhvillimin e Kosovës.
Ministri Murati shprehu mirënjohje për Qeverinë e Francës dhe AFD-në për kontributin në realizimin e marrëveshjes, duke theksuar se Ministria e Financave mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Francën dhe partnerët ndërkombëtarë.
