Murali “Çast” tashmë është pjesë e shëtitores përgjatë lumit Krena në Gjakovë, duke sjellë një mesazh për kujtesën, dinjitetin dhe qëndresën e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Komuna e Gjakovës ka bërë të ditur se realizimi i kësaj vepre është mundësuar përmes bashkëpunimit me aktorë të ndryshëm, ndërsa ka falënderuar ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, organizatën UN Women dhe Medica Gjakova për kontributin në këtë projekt.
“Murali ‘Çast’ tashmë është pjesë e shëtitores përgjatë lumit Krena në Gjakovë – një vepër që bart mesazh të fuqishëm për kujtesën, dinjitetin dhe qëndresën e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjakovës.
Vepra artistike është realizuar nga artistja nga Gjakova, Mimoza Rraci, e cila i ka dhënë formë vizuale këtij mesazhi përmes muralit.
Komuna ka vlerësuar se ky projekt përfaqëson një hapësirë të re të kujtesës publike dhe reflektimit mbi përvojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë periudhës së luftës në Kosovë. /Telegrafi/
