Asamblistja e LDK-së në Klinë, Jehona Gashi ka ngritur një shqetësim në seancën e sotme të Kuvendit Komunal për mungesën e ngrohjes në shkollën “Motrat Qiriazi” dhe gjendjen e rrezikshme të rrethojave të fushës sportive te shkolla “Ismet Rraci” në Klinë.
Gashi kërkoi që të merren masa të menjëhershme, sepse në pyetje është siguria e fëmijëve, shkruan Zeri.info.
“Te shkolla ‘Motrat Qiriazi’, shtyllat e dëmtuara në fushën sportive, të mbajtura me gurë, u kanë rënë nxënësve në kokë. Ndërsa te ‘Ismet Rraci’, një pjesë e telave të rrethojave është shkëputur dhe rreziku që ato të rrëzohen është real”, theksoi asamblistja e LDK-së.
Sipas saj, kjo çështje po neglizhohet nga drejtori i Arsimit, Qemajl Sejdia, i cili është përgjegjës për të rregulluar këtë çështje.
“Zoteri Qemajl Sejdia, detyra juaj është të parandaloni fatkeqësitë, jo të prisni që ato të ndodhin për të marrë masa! A duhet të lëndohet edhe një nxënës tjetër që institucionet të reagojnë?”, përfundoi Gashi. /Zëri

