Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë të premten në mbledhjen e radhës të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (KOLM) “Prishtina 2030”, ku është shqyrtuar ecuria e përgatitjeve dhe hapat e mëtejshëm drejt organizimit të këtij eventi sportiv.
Në këtë mbledhje janë trajtuar edhe çështjet e ngritura në komunikimin e fundit nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), me qëllim të vazhdimit të punës dhe bashkëpunimit për organizimin e Lojërave.
Në fjalën e tij hyrëse, Kurti ka theksuar se synimi i përbashkët është organizimi i suksesshëm i “Prishtina 2030”, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët gjatë gjithë procesit të përgatitjeve.
Ai ka thënë se në përcaktimin e investimeve duhet të merren parasysh jo vetëm kërkesat për organizimin e Lojërave, por edhe prioritetet e zhvillimit të vendit dhe nevojat e qytetarëve.
“Për t’i çuar përpara përgatitjet, na duhet kuptim i përbashkët i drejtimit që ndjekim dhe i hapave që do të ndërmarrim. Në përcaktimin e investimeve, krahas kërkesave për organizimin e Lojërave, duhet të na udhëheqin prioritetet e zhvillimit të vendit dhe nevojat e qytetarëve. Kjo i shërben edhe bashkëpunimit me ICMG-në dhe përmbushjes së angazhimeve që kemi marrë përsipër”, ka deklaruar Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Kryeministri ka rikujtuar se Libri i Kandidaturës është baza mbi të cilën Kosova e ka fituar të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare, duke theksuar se vizioni fillestar parasheh shtrirjen e garave nëpër Kosovë, si dhe përfshirjen e Shqipërisë, përkatësisht të qytetit të Durrësit.
Sipas tij, objektet sportive që do të ndërtohen apo renovohen duhet t'u shërbejnë sportistëve dhe qytetarëve edhe pas përfundimit të Lojërave në vitin 2030.
Në këtë drejtim, Kurti ka theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të kapaciteteve ekzistuese, përfshirjes së investimeve që janë në realizim e sipër dhe planifikimit të kujdesshëm të ndërtimeve të reja, përfshirë kostot, përdorimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
Gjatë mbledhjes është diskutuar edhe drafti i Masterplanit, organizimi dhe koordinimi i punës, infrastruktura prioritare dhe plani i prokurimit.
Kurti ka theksuar se Qeveria mbetet e përkushtuar për përmbushjen e zotimeve të dhëna që në fazën e kandidaturës, duke kërkuar që i njëjti përkushtim të reflektohet nga të gjithë të përfshirët në organizimin e Lojërave.

