Analisti politik Jasmin Mujanoviq ka reaguar pas fjalimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke kundërshtuar mënyrën se si presidenti serb e paraqiti bombardimin e atëhershëm të RF të Jugosllavisë nga NATO më 1999.
Në fjalimin e tij në Nju Jork, Vuçiq iu rikthye ndërhyrjes së NATO-s, duke pretenduar se Serbia ishte bombarduar ndonëse, sipas tij, asnjë ushtar apo polic serb nuk kishte hyrë në territorin e një shteti tjetër.
“Megjithatë, u mor vendimi për të bombarduar Serbinë”, deklaroi Vuçiq.
Mujanoviq reagoi ndaj këtij interpretimi, duke rikujtuar luftërat që kishin përfshirë ish-Jugosllavinë gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit.
“Deri në kohën kur forcat e Millosheviqit nisën fushatën e tyre në Kosovë, kjo ishte lufta e tij e katërt në më pak se nëntë vjet”, shkroi Mujanoviq.
Ai shkoi edhe më tej, duke argumentuar se, nëse NATO kishte bërë një gabim të madh në raport me regjimin e Millosheviqit, ai ishte se nuk kishte ndërhyrë drejtpërdrejt shumë më herët.
“Nëse NATO bëri një gabim të madh më 1999, ishte vetëm fakti që nuk e goditi drejtpërdrejt regjimin e Millosheviqit që më 1991 ose 1992”, tha Mujanoviq.
Dokumentet e NATO-s nga viti 1999 e paraqesin ndërhyrjen në Kosovë në një kontekst tjetër nga ai që Vuçiq paraqiti në OKB. Aleanca deklaronte në atë kohë se kriza ishte pasojë e politikës së represionit, dhunës dhe spastrimit etnik nga regjimi i Beogradit dhe kërkonte tërheqjen nga Kosova të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare jugosllave e serbe.
Edhe dokumentacioni i mëvonshëm i NATO-s, duke iu referuar të dhënave të OSBE-së, thotë se para fillimit të bombardimeve qindra mijëra shqiptarë të Kosovës ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe se ekzistonin dëshmi për një ofensivë të gjerë të forcave serbe.
Vuçiq, ndërkaq, në fjalimin e tij të sivjetmë në OKB e vendosi sërish Kosovën në qendër të argumentit të tij për respektimin e integritetit territorial të Serbisë dhe Rezolutës 1244. /Telegrafi.