Ministria e Punëve të Brendshme ka mirëpritur publikimin e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2026, duke vlerësuar se dokumenti konfirmon progresin në fushat që janë në përgjegjësi të kësaj ministrie dhe agjencive të saj.
Në një komunikatë për media, MPB-ja ka veçuar si ndër të arriturat kryesore forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, përmes zgjerimit të bashkëpunimit me Europol-in, rrjetin SIENA dhe platformën EMPACT.
Sipas ministrisë, raporti evidenton edhe avancimin e modelit të policimit të udhëhequr nga inteligjenca, rezultatet në luftimin e krimit të organizuar, si dhe progresin në luftimin e terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Një tjetër zhvillim i vlerësuar në raport është ulja e numrit të aplikimeve të pabazuara për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian.
MPB-ja ka theksuar se Komisioni Evropian ka vlerësuar edhe profesionalizimin e mëtejshëm të Policisë së Kosovës, duke veçuar diplomimin e gjeneratës së re të kadetëve dhe avancimin e sistemeve të trajnimit.
Ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë zbatimin e rekomandimeve të raportit, përmes dokumenteve strategjike dhe politikave në fushat përkatëse.
Në mesin e tyre janë Strategjia e Migracionit 2026–2030, Plani i Kontigjencës për Menaxhimin e Fluksit të Mundshëm të Migrantëve, Refugjatëve dhe Aplikuesve për Mbrojtje Ndërkombëtare 2026–2028, Strategjia për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe Strategjia Kundër Krimit të Organizuar.
Po ashtu, MPB-ja ka përmendur edhe themelimin e Qendrës Kombëtare për Luftimin e Terrorizmit dhe Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm.
Në fund, ministria ka ritheksuar përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, me synim avancimin e reformave dhe përafrimin e Kosovës me standardet evropiane. /Lajmi.net/

