Interesimi i Barcelonës për mbrojtësin e Interit, Alessandro Bastoni, është zbehur ndjeshëm gjatë javëve të fundit, raportojnë mediat spanjolle.
Mbrojtësi italian fillimisht konsiderohej si një nga objektivat kryesorë të drejtorit sportiv Deco për përforcimin e repartit defensiv, ndërsa profili i tij shihej si ideal për skemën e trajnerit Hansi Flick.
Megjithatë, negociatat rezultuan të komplikuara për shkak të kërkesave të larta financiare të Interit, i cili e vlerëson kartonin e lojtarit rreth 70 milionë euro.
Sipas burimeve pranë klubit katalanas, interesimi për Bastonin është ftohur dhe Barcelona tashmë ka zhvendosur prioritetet e saj drejt reparteve të tjera.
Një rol të rëndësishëm në këtë vendim ka luajtur edhe marrëveshja e raportuar për transferimin e anësorit anglez Anthony Gordon nga Newcastle, operacion që pritet t’i kushtojë Barcelonës 70 milionë euro plus bonuse shtesë deri në 10 milionë euro.
Kjo lëvizje kufizon ndjeshëm kapacitetin financiar të klubit për afrime të tjera të mëdha gjatë afatit kalimtar.
Ndërkohë, mediat raportojnë gjithashtu se Jose Mourinho ka diskutuar personalisht me Bastonin për një transferim të mundshëm te Real Madridi, duke arritur një marrëveshje paraprake për kushtet personale të lojtarit.
Kontrata aktuale e mbrojtësit me Interin është e vlefshme deri në verën e vitit 2028.
Gjatë këtij sezoni, Bastoni ka zhvilluar 40 ndeshje me fanellën e zikaltërve, duke realizuar dy gola dhe gjashtë asistime. /Telegrafi/
