KORREKT / SOT14 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Mos u thoni fëmijëve “Nuk kemi para për lodra”: Një fjali që mund të ndikojë në të ardhmen e tyre

Mos u thoni fëmijëve “Nuk kemi para për lodra”: Një fjali që mund të ndikojë në të ardhmen e tyre

Një përgjigje që duket krejt e pafajshme mund të ndikojë në mënyrën si fëmijët e kuptojnë paranë, sigurinë dhe jetën familjare

Kur një fëmijë kërkon një lodër të re, një ëmbëlsirë apo diçka që nuk i nevojitet, shumë prindër zgjedhin përgjigjen më të thjeshtë: “Nuk kemi para për këtë”.

Megjithatë, ekspertja e njohur e edukimit të fëmijëve, Jo Frost, të cilën publiku e njeh si Superdadoja (Supernanny), këshillon që prindërit t’i zgjedhin më me kujdes fjalët kur flasin me fëmijët për paratë.

Këshilla e saj ka nxitur diskutime mes prindërve, ndërsa mesazhi kryesor është i thjeshtë: ka dallim mes pamundësisë për të blerë diçka dhe vendimit për t’i shpenzuar paratë për nevoja të tjera.

Si e kuptojnë fëmijët shprehjen “Nuk kemi para”?

Prindërit shpesh e përdorin këtë shprehje për ta refuzuar sa më lehtë kërkesën e fëmijës, pa menduar se si mund ta interpretojë ai.

Nëse e dëgjojnë vazhdimisht, fëmijët mund të krijojnë përshtypjen se familja ndodhet përherë në vështirësi financiare dhe se gjërat që dëshirojnë janë të paarritshme.

Jo Frost thekson se mënyra si flasim për paratë mund të ndikojë në qëndrimet që fëmijët zhvillojnë më vonë ndaj financave.

Në shumë raste, prindërit nuk e refuzojnë një blerje sepse nuk kanë para, por sepse mendojnë se ekzistojnë nevoja më të rëndësishme për të cilat duhet të shpenzohen ato.

Prandaj, sipas saj, fëmijët duhet të kuptojnë se shpenzimi i parave përfshin vendimmarrje, përcaktim përparësish dhe planifikim.

Çfarë t’i thoni fëmijës kur kërkon diçka që nuk dëshironi t’ia blini?

Në vend që të thoni vazhdimisht se nuk keni mundësi ta përballoni një blerje, mund t’i shpjegoni fëmijës se ajo nuk është pjesë e planit aktual ose se paratë po ruhen për diçka tjetër.

Për shembull, mund t’i thoni:

“Nuk kemi planifikuar ta blejmë këtë lodër sot”.
“Paratë tani po i përdorim për gjëra më të rëndësishme”.
“Mund të mendojmë përsëri për këtë lodër pas disa javësh”.

Në këtë mënyrë, fëmija mëson se nuk mund ta marrë menjëherë gjithçka që dëshiron dhe se ndonjëherë duhet të presë.

Njëkohësisht, ai fillon të kuptojë vlerën e parasë dhe rëndësinë e shpenzimit të menduar mirë.

Kjo nuk do të thotë se prindërit duhet të arsyetojnë çdo refuzim apo të japin shpjegime të gjata. Është krejtësisht në rregull t’i thoni fëmijës “jo”, edhe kur keni mundësi financiare për t’ia plotësuar dëshirën.

E rëndësishme është që fëmija të kuptojë se jo çdo dëshirë duhet të realizohet dhe se vendimet e prindërve nuk kanë nevojë të justifikohen gjithmonë me mungesën e parave.

Prindërit kanë mendime të ndryshme

Këshilla e Superdados ka shkaktuar reagime të ndryshme.

Disa prindër e mbështesin këtë qëndrim, duke treguar se gjatë fëmijërisë dëgjonin vazhdimisht se familja nuk kishte para dhe se më vonë zhvilluan frikë apo pasiguri lidhur me financat.

Të tjerë mendojnë se fëmijët nuk duhet të ngarkohen me shqetësimet e të rriturve dhe se nuk është e nevojshme t’i njohin të gjitha hollësitë e gjendjes financiare familjare.

Ka edhe prindër që besojnë se fëmijët duhet ta kuptojnë që në moshë të vogël se çdo gjë kushton dhe se familja nuk mund të blejë gjithçka që ata dëshirojnë.

Një nënë shpjegon se vajzës së saj i thotë hapur kur nuk dëshiron t’i blejë diçka, veçanërisht kur ajo tashmë ka shumë lodra. Ajo e lejon të shprehë zhgënjimin, por nuk e ndryshon vendimin vetëm sepse fëmija qan.

Të mësosh të pranosh një “jo” është pjesë e rritjes

Fëmijët duhet të mësojnë të pranojnë kufijtë dhe të përballen me zhgënjimin, pa krijuar domosdoshmërisht përshtypjen se paratë janë një problem i vazhdueshëm në familje.

Bisedat për financat nuk kanë pse të jenë të ndërlikuara apo të përfshijnë informacione që fëmija ende nuk është në gjendje t’i kuptojë.

Nëse familja vërtet përballet me vështirësi financiare, nuk ka nevojë që kjo të fshihet, por situata mund të shpjegohet me sinqeritet, qetësi dhe në përputhje me moshën e fëmijës.

Mesazhi më i rëndësishëm është se fëmijët duhet të mësojnë dallimin mes dëshirave dhe nevojave, të kuptojnë se ekzistojnë përparësi dhe se jo gjithçka mund të blihet menjëherë.

Sepse, në fund, t’i mësoni fëmijës vlerën e parasë nuk do të thotë vetëm t’i tregoni sa kushton një lodër, por edhe ta ndihmoni të kuptojë pse ndonjëherë është më mirë të mos e blejë atë. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.