Nga Iniciativa “Më mirë për Tetovën” thonë se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar vendimin e Këshillit të Komunës së Tetovës të vitit 2007 për emërtimin dhe ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shesheve nuk është vetëm çështje juridike ose administrative.
Nga MMPT thonë se ky vendim prek drejtpërdrejt dinjitetin e shqiptarëve dhe është sulm ndaj realitetit demografik, historik dhe shoqëror të Tetovës.
“Emrat që po tentohen të rikthehen nuk përfaqësojnë vlerë për shumicën dërmuese të qytetarëve të Tetovës. Ata i takojnë një sistemi antivlerash, nga i cili Maqedonia e Veriut është shkëputur prej kohësh dhe që bie ndesh me rrugën evropiane që ajo synon. Për shqiptarët, këta emra lidhen me një sistem represiv dhe me një periudhë të errët, kur ata përndiqeshin në mënyrë sistematike, dëboheshin nga shtëpitë e tyre, pengoheshin në përdorimin e emrave shqip për fëmijët dhe identiteti shqiptar shërbente si bazë për diskriminim”.
“Imponimi i emrave që nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit, përveçse është antidemokratike, është edhe një formë dhune psikologjike për t’ua rikujtuar shqiptarëve një periudhë që lidhet me nënshtrim, përndjekje dhe poshtërim. Dhe kjo nismë po mbështetet nga aparati shtetëror, njësoj siç mbështetej dikur nga aparati shtetëror që diskriminonte shqiptarët gjatë komunizmit”.
“Shqiptarët nuk janë dëmshpërblyer asnjëherë për përsekutimin sistematik që është kryer mbi ta. As moralisht, as politikisht, as historikisht. Dhe sot, mbetjet shoviniste të po atij sistemi përpiqen përsëri të ushtrojnë dhunë simbolike mbi qytetin, të veshura me petkun e luftës antifashiste, ndërsa në thelb shfaqin tendenca të vjetra antishqiptare, të fshehura pas nostalgjisë komuniste-titiste”.
“Problemi nuk është vetëm te rrugët dhe sheshet. E njëjta gjë ndodh me përdorimin e gjuhës shqipe, me emrat e shkollave fillore dhe të mesme, me institucionet publike, me hapësirat kulturore dhe me mënyrën se si prezantohet identiteti shqiptar. Shembulli më skandaloz është institucioni shtetëror Muzeu i Tetovës, ku historia shqiptare e qytetit është e injoruar. Në vend që të pasqyrojë historinë e plotë të Tetovës, përfshirë kontributin dhe trashëgiminë shqiptare, ky institucion i ngjan më shumë një memoriali komunist, ku paraqitet një version ideologjik, i cunguar dhe i njëanshëm i historisë”.
“E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e “shqiptarëve të mirë”, ashtu siç i quante sistemi në kohën e komunizmit: shqiptarë të dëgjueshëm, vasalë, bashkëpunëtorë të sistemit, kundër interesit të popullit të vet. Shqiptarë që me dekada kanë shërbyer si dekor politik, duke u dhënë legjitimitet vendimeve që e shpërfillin identitetin e tyre. Ishin po këta “shqiptarë të mirë”, politikanë servilë, të paaftë dhe pa guxim politik, që lejuan pazare me Monopolin e Tetovës. Në vend që Monopoli të ruhej si dëshmi e masakrës dhe terrorit që është ushtruar mbi shqiptarët, partitë politike lejuan që ai të fshihet nga kujtesa kolektive”, thonë nga MMPT./Telegrafi/
LEXO:
- Dita e 19-të e protestave në Shqipëri, tensione mes protestuesve dhe deputetit të PS
- Kur dhimbja nuk vjen nga kockat: Sëmundjet reumatike që ngatërrohen me probleme të tjera
- Porsche megjithatë u dorëzua – Taycan elektrik mori një kuti shpejtësish me tetë marshe
- Zogaj i del në mbrojtje Abdixhikut: Na duhet më pak zhurmë, më shumë punë në LDK
- Olivia Dean ndërpreu koncertin kur Harry Kane shënoi gol kundër Kroacisë në Botëror
- Zyrtare: Liverpooli prezanton Victor Munoz si transferimin e parë të verës
- Meshkujt në Maqedoni vdesin mesatarisht në moshën 72.2 vjeç, ndërsa gratë në moshën 76.6 vjeç
- Maqedonci në selinë e NATO-s: Kosova përkrah aleatët në mbështetje të Ukrainës dhe sigurisë globale