Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se ushtria izraelite po vepron në përputhje me atë që ai e quajti “vizionin e profetëve”, duke paralajmëruar se çdo forcë që sulmon Izraelin do të përballet me pasoja.
Duke iu drejtuar ushtarëve, Katz tha se Izraeli “ka qenë tashmë në këto vende” dhe se do të vazhdojë veprimet e tij ushtarake.
“Ju po përmbushni vizionin e profetëve. Mjafton të hapni Biblën dhe të lexoni se mbi çfarë bazohet kjo”, u shpreh ai.
Katz pretendoi gjithashtu se fshatrat pranë kufirit me Libanin po shkatërrohen në mënyrë sistematike dhe paralajmëroi kundërshtarët e Izraelit në rajon.
“Kushdo që ngre dorë kundër Shtetit të Izraelit – në Gaza, Liban, Siri apo kudo tjetër – e di se do të ketë një çmim për të paguar”, tha ministri izraelit.
Sipas tij, pasojat e para për ata që përballen me Izraelin janë humbja e territorit dhe e shtëpive.
Deklaratat e Katz vijnë në një kohë tensionesh të larta në rajon, ku përplasjet mes Izraelit dhe grupeve të armatosura në Gaza dhe në kufirin me Libanin kanë rritur shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm. /Telegrafi/
