Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Milot Avdyli, ka shprehur optimizëm para përballjes së rëndësishme me Izraelin, duke theksuar se atmosfera në kampin e Dardanëve është shumë e mirë dhe se skuadra është përgatitur për të kërkuar tri pikët.
Në një prononcim para ndeshjes, Avdyli ka bërë të ditur se gjatë stërvitjeve të fundit vëmendje e veçantë i është kushtuar aspektit taktik, ndërsa beson se puna e zhvilluar do të japë rezultat në fushë.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë, besoj se jemi përgatitur mjaft mirë. Taktikisht sot kemi ushtruar më shumë dhe besojmë se do të dalim me rezultat pozitiv”, ka deklaruar Avdyli.
Futbollisti kosovar ka theksuar gjithashtu rëndësinë e faktorit vendas, duke besuar se përkrahja e tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri” do t’i japë Kombëtares motivim shtesë.
“Duke marrë parasysh që do të luajmë para shikuesve tanë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, normal që do të jemi më të motivuar dhe besoj se do t’ia dalim me tri pikë”, ka shtuar ai.
Kosova do të përballet me Izraelin të shtunën, më 14 nëntor, nga ora 15:00, në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve. Kjo është një ndeshje me rëndësi të madhe për Dardanët, të cilët pas katër xhirove kanë grumbulluar pesë pikë dhe renditen në pozitën e dytë.

